“10% e familjeve s’paguajnë dot ujin” - Studimi i ERRU: Trajtohen me ndihmë ekonomike, duhet skemë subvencionimi për ujësjellësit

“10% e familjeve s’paguajnë dot ujin” – Studimi i ERRU: Trajtohen me ndihmë ekonomike, duhet skemë subvencionimi për ujësjellësit

Familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike e kanë të pamundur të paguajnë faturën e ujit dhe kanalizimeve”. Në këtë përfundim ka arritur një studim i realizuar nga Enti Rregullatori i Ujit, që ndër të tjera thekson se familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike zënë 10% të numrit total të popullsisë.  Qëllimi i këtij studimi ishte vlerësimi i influencës së arkëtimeve nga Familjet në Nevojë në qëndrueshmërinë financiare të Shoqërive UK, dhe alternativat e kompensimit për këtë kategori konsumatorësh apo për ujësjellësit, në garantim të qëndrueshmërisë financiare të tyre.

Në raportin vjetor të ERRU-së, theksohet se kjo përqindje e lartë e popullsisë që trajtohet me ndihmë ekonomike, është shqetësuese sepse kjo shtresë e ka të pamundur të paguajë faturën e shërbimeve të ujësjellës-kanalizimeve, ndërkohë që shuma totale zë një peshë të konsiderueshme në të ardhurat që duhet të arkëtojnë këto shoqëri për qëndrueshmërinë financiare të tyre.

Në këtë kuadër, sipas Entit Rregullator, është e nevojshme që të gjendet një zgjidhje në formën e një mekanizmi kompensimi të shoqërive UK, për pamundësinë e arkëtimit direkt të faturimit nga kjo shtresë e popullsisë. Gjithashtu, studimi përcakton dhe se ku duhet të orientohen subvencionet nga qeveria qendrore për shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve. Sektori i ujit pësoi përkeqësim në disa tregues gjatë vitit 2020, që sipas ERRU-së erdhën si pasojë e situatës së krijuar nga COVID-19 dhe tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019.

Ola Mitre / SCAN

 

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.