4 mënyra për të përmirësuar shëndetin mendor të punonjësve

4 mënyra për të përmirësuar shëndetin mendor të punonjësve

Është koha për të rimenduar ekuilibrin punë-jetë dhe se çfarë do të thotë që t’i jepet përparësi shëndetit mendor në vendin e punës.

Pandemia e bëri shëndetin mendor një temë themelore për vendin e punës. Mbështetja për shëndetin mendor në punë nuk është më një benefit që do të ishte mirë të ofrohej, por është kthyer në një domosdoshmëri.

Teksa punonjësit kthehen në zyrë me kohë të plotë, ose sipas modelit të punës hibride, drejtuesit po rikonsiderojnë ekuilibrin punë-jetë dhe se çfarë do të thotë që t’i jepet përparësi shëndetit mendor në vendin e punës.

Studimi i Stresit 2022 nga Talkspace, e cila anketoi 1,400 punonjës me kohë të plotë në SHBA, tregon se shumica e tyre e konsiderojnë punën si shumë stresuese dhe janë në burnout prej saj, edhe dy plot vite pasi Covid-19 tronditi për herë të parë mënyrën se si punonim.

Politikat që lidhen me Covid-in, lëvizjet e shpeshta të stafit dhe luhatjet e tjera në tregun e punës po e bëjnë të detyrueshme për punonjësit që të operojnë në një gjendje ndryshimi të vazhdueshëm.
Pra, çfarë mund të bëjnë punëdhënësit për të përmirësuar shëndetin mendor të punonjësve të tyre?

1. Bëjini menaxherët pjesë kritike të zgjidhjes

Menaxherët janë një nga grupet më kritike ku punonjësit drejtohen për mbështetje. Sipas gjetjeve të sondazhit, punonjësit që thonë se menaxherët ndërmarrin hapa për të mbështetur shëndetin e tyre mendor, kanë më shumë gjasa që ta shohin punën si më përmbushëse (86 për qind) dhe ndihen më pak të stresuar nga puna (41 për qind).

Menaxherët mund të ndërtojnë sistemet e ndërgjegjësimit të burimeve dhe të inkurajojnë përdorimin e programeve të shëndetit mendor.

Për më tepër, ata mund të modelojnë sjellje dhe zakone të mira – jo vetëm në aspektin e vendosjes së pritshmërive të duhura në lidhje me ekuilibrin punë-jetë, por gjithashtu duke u dhënë punonjësve mundësi që të vënë shëndetin e tyre mendor në plan të parë.

2. Bëjeni kohën e lirë përparësi kryesore

Një kulturë dhe stil menaxhimi që i jep përparësi mirëqenies dhe rritjes, bashkë me nxitësit tradicionalë të biznesit të tilla si fitimet dhe performanca, është kritike për punonjësit që po dalin nga situata e pandemisë.

Pesëdhjetë e shtatë për qind e të gjithë punonjësve – duke përfshirë 66 për qind të atyre që duan të lënë punën – do të kishin gjasa të qëndronin në punën e tyre aktuale nëse ajo do të ofronte më shumë shërbime për shëndetin mendor.

Përtej ofrimit të aksesit në kujdesin e shëndetit mendor, punëdhënësit duhet të nxisin krijimin e mjediseve që u japin punonjësve mundësi të pushojnë dhe të qetësohen.

Në fakt, gati 3 në 4 punonjës (74 për qind) thonë se rritja e kohës së pushimit të paguar, si për shembull ditët e shëndetit mendor, do t’i shtynte ata të qëndronin në punët e tyre.

3. Fillojini bisedat me “Si jeni?”

Ju mund të nxisni bisedat për shëndetin mendor duke shfaqur kujdes dhe ndjeshmëri të sinqertë.

Kjo frazë e thjeshtë mund t’ju ndihmojë të lidheni me anëtarët e ekipit dhe të ofroni një mënyrë për të diskutuar çdo burim, si dhe për të nxitur punonjësit që t’i përdorin ato. Çdo punonjës është unik dhe do të përfitojë nga burime dhe qasje të ndryshme.

4. Ofroni trajnime për shëndetin mendor


Punonjësit përfitojnë shumë nga trajnimet për shëndetin mendor në punë. Kjo u jep atyre mundësinë të njohin mjetet për të menaxhuar shëndetin e tyre mendor, si dhe ndihmon në normalizimin e bisedave për shëndetin mendor brenda kompanisë.

Vendosja e punonjësve në një pozicion ku të mund të maksimizojnë përfitimet e tyre të shëndetit mendor do të ishte e favorshme si për punëdhënësit, ashtu edhe për punonjësit.

Punëdhënësit që mbështesin mirëqenien e punonjësve kanë më shumë gjasa të shohin ndikime pozitive në produktivitetin, në menaxhimin e kohës dhe në faktorë të tjerë kyç që sjellin rezultate më të mira në vendin e punës.

Për të arritur këtë, punëdhënësit do të duhet të dëgjojnë punonjësit, të jenë të hapur ndaj ndryshimeve dhe të ofrojnë mënyra të reja për të mbështetur suksesin e punonjësve dhe mirëqenien e tyre mendore./INC