6 milionë USD për vaksinat Pfizer - Marrëveshja e re, në Kuvend. Manastirliu: 500 mijë doza deri në fund të vitit     

6 milionë USD për vaksinat Pfizer – Marrëveshja e re, në Kuvend. Manastirliu: 500 mijë doza deri në fund të vitit     

Kontrata e re me kompaninë Pfizer do të ketë një vlerë prej  6 009 120 USD. Akti Normativ për miratimin e marrëveshjes për blerjen e vaksinave ka mbërritur në Kuvend për diskutim, ndërkohë që sikurse është bërë e ditur më herët nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastriliu përmes saj synohet të sigurohen 500 mijë doza, që do të mbërrijnë në vendin tonë brenda këtij viti.

Sikurse marrëveshja e mëparshme, edhe dokumenti i ri do të jetë konfidencial dhe nuk do të publikohet për shkak të sekretit tregtar. Ndërkohë që, sipas relacionit që shoqëron projektligjin në Kuvend, gjatë  bisedimeve, amendimi i marrëveshjes  për shtimin e dozave do të ishte në favor të shtetit shqiptar për arsye se çmimi  dhe kushtet e lëvrimit nuk do të ndryshonin. Deri më tani, qeveria nuk ka pranuar të bëjë publik çmimin me të cilin sigurohen vaksinat, megjithatë nëse kemi parasysh faktin që efekti financiar nga marrëveshja e re do të jetë rreth 6 mln USD, ndërkohë që Manastriliu ka deklaruar se nga kjo marrëveshje do të sigurohen 500 mijë doza, kjo do të thotë se një dozë vaksine do të blihet me 12 USD nga qeveria shqiptare.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë, deri në datën 23 shtator në vendin tonë janë kryer 1 683 644 vaksinime, ndërkohë që pavarësisht ditëve të hapura të vaksinimit për të gjithë personat mbi 18 vjeç  dhe disponueshmërisë së vaksinave në vendin tonë, Shqipëria mbetet nën mestaren europiane të vaksinimit për 100 banorë.

Ola Mitre / SCAN

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.