800 pacientë me COVID-19 të shtrirë në QKUK dhe spitale, Krasniqi thotë se me këtë trend tejkalohen kapacitetet spitalore

800 pacientë me COVID-19 të shtrirë në QKUK dhe spitale, Krasniqi thotë se me këtë trend tejkalohen kapacitetet spitalore – Lajmet e fundit



Në klinikat e QKUK-së dhe në spitalet rajonale, aktualisht janë të shtrirë 800 pacientë me COVID-19.

Drejtori i Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK), Valbon Krasniqi, gjatë mbledhjes së komitetit anti-COVID -19 ka alarmuar për kapacitet spitalore në rast se trendi i rritjeve vazhdon, transmeton Zeri.info.

“Tash e pothuajse tri javë, SHSKUK-ja është duke u ngarkuar me numër të madh të rasteve të hospitalizuar. Numri i të shtrirëve sot ka arritur në 800. Kemi saktësisht 798 pacientë që po marrin shërbime në spitalet rajonale dhe në qendrat Covid. Kjo i bjen që brenda 18 ditëve të muajit mars kemi rritje të hospitalizuarve pre 66%”, ka thënë Krasniqi.

“Kjo rritje për neve në një periudhë kaq të shkurtër kohore për ne është mjaft shqetësuese. Nëse vazhdon ky trend i rritjes së të hospitalizuarve nënkupton që mbase brenda muajit mars do të tejkalohen kapacitetet e planifikuara. Ne si SHSKUK u bëjmë thirrje këtij Komitetit dhe Qeverisë që të rrisin kapacitetet në shtretër”, ka thënë më tutje Krasniqi.

Ai ka kujtuar se Kosova nuk ka spital rezerve e as spital të veçantë për COVID-19.

“Ne nuk kemi spital rezervë e as të veçantë për Covid. Shifrat janë shqetësueses dhe nëse i kushtojmë një vëmendje të veçantë të dhënave që u paraqiten nga IKSHPK-ja i bie se 1/3 e qytetarëve që janë konfirmuar pozitiv janë të moshës mbi 50 vjeçare. Një pjesë e madhe e këtyre të infektuarve kanë mundësi që të sëmuren dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore”, ka deklaruar drejtori i SHSKUK-së./Zëri