COVID-19 “zbrazi” arkën e shtetit - 7-mujori, shpenzimet “fluturuan” me 85 milionë euro më shumë

94 milion euro minus nga të papunët e Covid – 9-mujori, të ardhurat mbi pagat në rënie drastike

Të ardhurat e mbledhura në buxhetin e shteti nga tatimi mbi pagat ka pësuar rënien më të madhe ndër zërat që administrojnë tatimet në 9 muajt e parë të vitit, për shkak të shkurtimeve masive të vendeve të punës si pasojë e pandemisë COVID-19. Kështu, sipas treguesve fiskalë të Ministrisë së Financave,  tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 25.8 miliardë lekë, 11.6 miliardë lekë apo 94 milionë euro, më pak se e njëjta periudhë e vitit 2019, duke pësuar kështu një reduktim me rreth 31.1 për qind. Po ashtu, të ardhurat nga ky zë paraqiten në rënie me rreth 2.2 miliardë ose 8% më pak se plan për periudhën Janar-Shtator 2020.

Sipas Ministrisë së Financave, faktori kryesor në mosrealizimin e Tatimit mbi të Ardhurat Personale është reduktimi i numrit të të punësuarve nga ana e bizneseve si pasojë e Covid 19.  Ndërkaq, me rënie paraqiten edhe të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, që paguhen nga të punësuarit mbi bazën e pagave,  të cilat u realizuan në masën 71.2 miliardë lekë, apo rreth 1 miliardë lekë më pak se 9 mujori 2019.  Të dhënat tregojnë edhe goditjen e madhe që ka marrë tregu i punës për shkak të pandemisë, ku sipas të dhënave zyrtare janë mbi 55 mijë individë që kanë dalë të papunë.

Tatimi mbi të ardhurat personale

9-mujori 2019  37.4 miliardë lekë

9- mujori 2020  25.8 miliardë lekë

Të ardhurat nga kontributet

9-mujori 2019  72.2 miliardë lekë

9- mujori 2020   71.2 miliardë lekë

Elisabeta Dosku / SCAN

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.