A do të falet namazi i Bajramit në xhami dhe si do të festohet këtë vit?

A do të falet namazi i Bajramit në xhami dhe si do të festohet këtë vit? – Lajmet e fundit



Pandemia me të cilën po përballemi si pasojë e përhapjes së koronavirusit kësaj here ka ndryshuar edhe disa tradita shekullore të myslimanëve për Ramazan, pasi xhamitë edhe në Kosovë janë mbyllur dhe janë vënë ndalesa për lutje të disa personave bashkë

Drejtues nga Bashkësia Islame e Kosovës qysh më 14 mars kanë njoftuar për pezullimin e përkohshëm të faljeve të organizuara në xhamitë e Kosovës.

Madje nga BIK-u kohë pas kohe janë dhënë porosi për të gjithë besimtarët që të ndjekin rekomandimet e institucioneve gjegjëse lidhur me parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri.

Edhe pse Kosova nga data 4 maj ka filluar lehtësimin gradual të masave të izolimit dhe filluan punën një varg veprimtarish, deri më tani nuk ka ndonjë vendim tjetër për faljet nëpër xhami dhe besimtarët nuk mund të mblidhen për lutje.

Kështu besimtarët po vazhdojnë agjërimin dhe po presin nëse do të ketë ndryshim së paku për faljen e namazit të Fitër Bajramit dhe ceremonive festuese që pasojnë pas faljes.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka folur për këtë çështje.

Ai tha për agjencinë e lajmeve “FaktePlus” se ende ka kohë për të marrë vendime lidhur me mënyrën e faljes së Bajramit dhe se gjithçka varet nga situata që do të mbizotërojë në vend.

Ai theksoi se vendimet do të jenë të matura dhe se asnjë veprim nuk do të merret që rrezikon shëndetin e përgjithshëm të qytetarëve.

“Megjithatë, ne jemi në koordinim dhe me Ministrinë e Shëndetësisë dhe do të shohim mundësinë se tash me lehtësimin e masave të përgjithshme në Kosovë, që tash veç kanë filluar të merren disa hapa, nëse ekziston mundësia edhe e rihapjes së xhamive dhe shkuarja e njerëzve në xhami. Ne do të përcjellim situatën dhe sigurisht që asgjë nuk do të veprojmë në dëm të shëndetit publik të përgjithshëm të Kosovës, mirëpo do të shohim si do të ecin punët në raport me pandeminë. Kjo varet krejtësisht nga situata, nga infektimet, nga të vdekurit. Qëllimi ynë është ta falim nëpër xhami, mirëpo duhet ta shohim se si do të rrjedhë situata”, tha Tërnava për “FaktePlus”.

Tashmë kanë kaluar disa ditë nga nisja e Ramazanit dhe mbeten 18 ditë tjera deri në Bajram. Kjo i jep mundësi Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) që të përcjellë situatën e krijuar për të marrë vendim për faljen e namazit të Bajramit.

“Ne kemi edhe 18 ditë Ramazan dhe ne do të jemi në vazhdimësi duke e përcjellë situatën, ne do të bëjmë një mbledhje të Kryesisë së Bashkësisë Islame dhe do të shohim situatën e përgjithshme dhe do të marrim masat”, shpjegoi Tërnava.

Kujtojmë se në Kosovë me 13 mars u shfaqen dy rastet e para si të infektuar me koronavirus. E një ditë pas shënimit të rasteve, më 14 mars, u morën masat dhe u ndalua pothuajse gjithçka.

Qysh nga ajo ditë edhe Bashkësia Islame e Kosovës ka njoftuar për pezullimin e përkohshëm të faljeve të organizuara në xhamitë e Kosovës.

“Bashkësia Islame e Kosovës ka marrë disa rekomandime lidhur me situatën e përgjithshme që mbretëron edhe në Kosovë, edhe në glob. Për qëllimin e mbrojtjes së përgjithshme të shëndetit të të gjithë qytetarëve të Kosovës Bashkësia Islame mori masat e veta dhe sigurisht që u kemi bërë në vazhdimësi thirrje qytetarëve, besimtarëve që ata të jenë të kujdesshëm dhe t’i përfillin thirrjet, sugjerimet e Bashkësisë Islame të Kosovës krahas atyre të Qeverisë, Ministrisë së Shëndetësisë, OBSH-së dhe gjithave me qëllimin e vetëm që të kemi sa më pak të infektuar dhe sa më pak të vdekur. Bashkësia Islame e Kosovës në vazhdim është duke përcjellë situatën, sigurisht që ky muaj i Ramazanit ka qenë paksa më ndryshe se muajt e tjetër, besimtarët nuk kanë pas mundësi të shkojnë në xhami të falen dhe të bëjnë adhurimet e tyre”, tregoi Tërnava.

Ndërkohë, përgjatë muajit të Ramazanit shumë xhami kanë nisur e po transmetojnë online lutjet dhe ceremonitë tjera fetare.

Varësisht prej shtetit, muaji i Ramazanit ka filluar më 24 prill. Nga ajo ditë myslimanët që agjërojnë duhet të heqin dorë nga ushqimi, pijet, konsumimi i duhanit dhe marrëdhëniet seksuale nga lindja në perëndim të diellit.

Duke marrë parasysh të dhënat e fundit, në Kosovë me koronavirus janë infektuar gjithsej 855 persona, derisa numri i të shëruarve ka arritur në 403, ndërsa janë 26 persona që kanë vdekur si pasojë e koronavirusit.