A po i vjen fundi pandemisë?!

A po i vjen fundi pandemisë?!

Shumë njerëz po u druajnë mutacioneve dhe valës së tretë të përhapjes së koronavirusit, por shkalla e infektimeve me COVID-19 është duke rënë në tërë botën. Kjo gjë ka ngritur pyetjen nëse virusi po e humb fuqinë apo janë masat shëndetësore ato që më në fund kanë filluar ta japin efektin e tyre?

Me afrimin e pranverës në hemisferën veriore, shumë njerëz janë duke e humbur durimin me pandeminë. Duan ta kenë një kufizim kohor se kur do të hiqen gradualisht izolimet, se kur mund të presin që të vaksinohen dhe kur i gjithë pluhuri i ngritur nga kriza shëndetësore do të fashitet.

Debati është nxitur nga deklaratat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë rreth një përfundimi të afërt të pandemisë së koronavirusit. Në pyetje është një “pretendim” i drejtorit për Evropë i OBSH-së, Hans Henri Kluge, dhënë për radion daneze se pandemia “do të përfundojë brenda pak muajsh”, transmeton KultPlus.

Pas një debati të nxehtë mes ekspertëve dhe diskutimeve në rrjetet e mediave sociale, Kluge ka thënë për transmetuesin “ZDF” në Gjermani se ai në fakt nuk e ka thënë një gjë të tillë. Përkundrazi, ai ka thënë se askush nuk mund ta parashikojë se kur do të përfundojë pandemia. “Do të thosha – si hipotezë që mund të ndodhë – se pandeminë do ta lëmë prapa supeve nga fillimi i vitit 2022”, ka thënë drejtori i OBSH-së. “Koronavirusi ende do të ekzistojë, por masat parandaluese nuk do të jenë më të nevojshme”, ka shtuar ai.

Deklarata e pretenduar nga drejtori i OBSH-së ka ndikuar që shkencëtarët “ta kapin kokën në duar”. Virologu nga spitali “Charite” në Berlin, Christian Drosten, i ka kundërshtuar të gjitha spekulimet se virusi është duke e humbur fuqinë.

“Deri më tani nuk ka shenja se ndonjë mutacion i njohur është duke u dobësuar. Ky do të ishte spekulim i pastër”, ka thënë Drosten. Sipas tij, situata mund të përkeqësohet dhe jo të përmirësohet më 2021.

Për këtë arsye, Karl Lauterbach, epidemiolog dhe ligjvënës gjerman në Bundestag, është shprehur kundër lehtësimit të menjëhershëm të masave.

Në fund të shkurtit, numri i infektimeve me SARS-CoV-2 në tërë botën ishte rreth 114 milionë. Rreth 2.5 milionë të infektuar kanë vdekur dhe më shumë se 64.4 milionë janë shëruar.

Sipas raporteve të OBSH-së, infektimet globale janë ulur dukshëm për gati dy muaj, shumë më shpejt sesa që është parashikuar. Në mes të janarit, çdo ditë janë shfaqur nga 700.000 infektime të reja globalisht, kurse tani numri ka rënë më shumë se gjysma e kësaj shifre. Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i ka quajtur të dhënat e ulëta si “shenjë shpresëdhënëse”.

“Kjo prirje na e rikujton se ndonëse sot po diskutojmë për vaksinat, COVID-19 mund të mundet dhe kontrollohet me masa të dëshmuara të shëndetit publik. Dhe këtë gjë e kanë bërë shumica e vendeve”, ka thënë ai.

Janë gjetur shumë arsye për rënien e dukshme të rasteve në tërë globin. Ato janë duke u përdorur si argument për të ecur tutje. Është e qartë se vaksinimi nuk është e vetmja arsye, pasi që vetëm një pjesë e vogël e popullsisë tanimë është vaksinuar.

Masat e distancës fizike dhe higjienës kanë dhënë rezultate në shumë vende.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Brazil janë infektuar kaq shumë njerëz saqë është duke u arritur një lloj imunizimi bazik i popullsisë. Do të mund të duket e çuditshme, por sipas disa studiuesve virusi mund të jetë dobësuar shumë, për shkak të mutacioneve. Sipas një studimi nga universitetet në Atlanta dhe Pennsylvania, të publikuar në mes të shkurtit, parashikohet se mutacionet shumë shpejt do ta shtyjnë koronavirusin që të kalojë nga pandemia në endemi – një proces ky që fushata globale e vaksinimit po mundohet ta arrijë.

“Përvojat e kaluara me gripa kanë treguar qartë se në një pikë të caktuar, gjitha pasojat e infeksionit kanë gjasa të zhduken përnjëherë”, ka thënë Klaus Stöhr, epidemiolog që udhëheq Programin Global për Gripa në OBSH. “Dy pandemitë shkatërruese të gripave – gripi aziatik më 1957, që la të vdekur mbi 4 milionë njerëz, dhe gripi i Hong-Kongut më 1968, prej të cilit kanë vdekur mbi 3 milionë persona – janë zhdukur aq shpejt sa edhe janë shfaqur”, ka argumentuar ai.

Në rastin e gripit spanjoll pas Luftës së Parë Botërore, vala e dytë kishte shkaktuar më së shumti vdekje – më shumë se 50 milionë, mes viteve 1918 dhe 1920. Vala e tretë ishte larguar shpejt, por patogjeni kishte mbetur. Në një formë më të dobët, virusi H1N1 shfaqet në një grip tërësisht normal në ditët e sotme. Edhe virusi SARS-CoV-2 mund ta përshkojë të njëjtin shteg, mbase duke u shfaqur vetëm lokalisht.

Nëse dobësohet nga mutacionet, do të bëhet më pak i rrezikshëm. Sidoqoftë, derisa trendët pozitivë globalë të stabilizohen, baraspeshimi mes masave dhe lehtësimeve të mundshme do të vazhdojë. / KultPlus.com

The post A po i vjen fundi pandemisë?! appeared first on KultPlus.