Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës3

AAK: Përgjegjësi kryesor i shkeljes së Kushtetutës është Thaçi

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me keqardhje vlerëson se nuk ka qenë befasues konfirmimi nga Gjykata Kushtetuese se është shkelur Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në seancën parlamentare të 22 shkurtit të këtij viti, gjatë procedurës së zgjedhjes së Presidentit të vendit.

AAK e përshëndet vendimin e drejtë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në mbrojtje të dokumentit më të lartë juridik të shtetit.

“AAK konsideron se përgjegjësi kryesor për situatën e krijuar drejt shkeljes së aktit më të lartë juridik të vendit, është z. Hashim Thaçi, i cili përmes presioneve dhe insinuatave ndaj deputetëve, krijoi klimë degraduese mbi Kuvendin dhe institucionet tjera të vendit”, thuhet në kumtesë.

Më tej kjo parti vlerëson se AAK konsideron se Kosova dhe imazhi i saj në botë, fatkeqësisht po vazhdojnë të dëmtohen, gjithnjë e më shumë, për shkak të politikave për interesa të ngushta dhe personale të përgjegjësit kryesor të këtyre zhvillimeve, Hashim Thaçit.

AAK fton në rivendosjen e shpejtë të kushtetutshmërisë në vend dhe kërkon respektimin e plotë të saj në të gjitha veprimet tjera në ndërtimin dhe udhëheqjen e institucioneve.