Abdixhiku për Kurtin: Pozita jonë po bën opozitë në një shtet tjetër

Abdixhiku për Kurtin: Pozita jonë po bën opozitë në një shtet tjetër – Lajmet e fundit



Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti se nuk po merret me situatën e rëndë të pandemisë në vend.

Abdixhiku ka thënë se angazhimi i Kurtit, ministrave dhe deputetëve të Vetëvendosjes në zgjedhjet në Shqipëri, tregon papjekuri dhe papërgjegjësi, transmeton Zeri.info.

“Marrja me zgjedhje e protesta në Shqipëri – nga Kryeministri, ministrat e deputetët e tij – në kohë kur nga 80 bashkëqytetarë në javë na vdesin në Prishtinë; kur të moshuarit e të rrezikuarit presin vaksinim, tregon papjekuri, tregon papërgjegjësi. Përpjekja për të prekurit e familjet e tyre, për secilin tjetër që sot pret shpëtim – qoftë madje edhe si solidarizim – është një shembull sjellje prej lideri. Është lidership. Këtë punë, këtë shembull, këtë sjellje kjo Qeveri nuk po e jep dot”, ka shkruar Abdixhiku.

Kreu i LDK-së, ka thënë se qeverisja e LVV-së ka një fillim të dobët, ndërsa i ka kërkuar që të mbajnë përgjegjësi për situatën në vend.

“Ajo [qeveria] i ka braktisur njerëzit e vet. Në vend të kësaj, në kulmin e krizës shëndetësore e ekonomike, pozita, e zgjedhur për të prirë këtu, ka zgjedhur të jetë opozitë protestash e fushatash në një tjetër shtet. Duket se 14 shkurti është kuptuar si fund e jo si fillim. Por me këtë fillim të dobët, të dobët shumë, edhe muajt e mjaltit marrin fund. Keni përgjegjësi, mbani përgjegjësi”, ka shkruar ai./Zëri