Abott: Gjuha shqipe është e veçantë dhe e rrallë

Abott: Gjuha shqipe është e veçantë dhe e rrallë

Mbi 100 pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës do t’i mirëpresë sivjet Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Ngjarja më e madhe shkencore do të mirëpresë albanologë botërorë që për 11 ditë do të shpalosin studime për gjuhën, letërsinë e kulturën shqiptare.

Në edicionin e 40-të me radhë do të preket një numër më i madh i temave në fushën e albanologjisë.

Në mungesë të kryeministrit Albin Kurti, fjalën e tij e ka lexuar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ku ka theksuar rëndësinë e gjuhës shqipe si pasuri të përbashkët.

“Nëpërmjet gjuhës jo vetëm është mësuar në mënyrë të drejtë dashuria për kombin, por edhe për vetë jetën. Derisa gjuha ndërton dhe mirëmban raportet tona, shkencëtarët dhe studiuesit e mirëmbajnë gjuhën tonë. E sulmuar nga mendimi i shpejtë, mendimi i ndërprerë nga thjeshtëzimi i tepruar, nga përkthimi i panevojshëm, shqipja jo vetëm që është mjeti ynë për dijen në politikë dhe jetë, por është edhe qëllimi ynë i zhvillimit”, tha Nagavci.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abott, ka folur për përvojën e tij me mësimin e gjuhës shqip, e cila thotë se i ka ndihmuar të depërtojë me lehtë në kulturën shqiptare.

Ka thënë se gjuha shqipe është e veçantë dhe e rrallë.

“Kam mësuar frëngjisht dhe arabisht përpara, por mund të flas me siguri që gjuha shqipe është e veçantë, një ndër gjuhët e rralla indoevropiane. Gjatë kohës kur kam kaluar duke mësuar gjuhën shqipe në Londër dhe Gjakovë, një ndër pjesët më të vështira ka qenë që rregullat e shkruara gramatikore duhet të shqiptohen. Kjo edhe e bën gjuhën shqipe unike në mesin e gjuhëve botërore”, tha Abott.

Seminari është themeluar në vitin 1974 dhe organizohet për studiues e studentë që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, por edhe me albanologjinë.

Rektori i Universitetit të Prishtinës i ka ftuar pjesëmarrësit që krahas ligjëratave, të njihen më për së afërmi edhe me lokacione më rëndësi në Kosovë.

Rikthimi i plotë pas pengesave të pandemisë dhe tradita 40-vjeçare ka bërë që interesimi të rritet në këtë edicion jubilar.

“Këtë vit numri i pjesëmarrësve të huaj në seminar e ka kaluar 100-shin dhe po të mos ishin kufizimet e natyrës logjistike, buxhetore dhe teknike ky numër sigurisht do të ishte edhe më i madh. Padyshim një interesim kaq i madh për të marrë pjesë në seminar është një tregues i qartë që seminari nuk e ka humbur aspak as rëndësinë e as cilësinë dhe vazhdon të jetë ngjarja kryesore në fushën e albanologjisë”, tha Shkumbin Munishi, drejtor i Seminarit.

Temat bosht të Seminarit për sesionet shkencore të Seminarit janë shqipja në kontakt, letërsia shqipe në kontekstin komparatist dhe dezinformimi e propaganda në mediat sociale. Punimet do të vazhdojnë deri më 26 gusht.