Adem Demaçi shkrimtar - KOHA.net

Adem Demaçi shkrimtar – KOHA.net

Adem Demaçi, njeriu që tërë jetën ia kushtoi luftës për liri të popullit të vet, është jo vetëm veprimtar politik, por edhe krijues letrar: shkrimtar me talent të rrallë.

Në librin “Dosja Demaçi”, që flet për burgun e parë të “Bacës”, haset edhe një fjali, në të cilën thuhet: “në mesin e shkrimtarëve të Kosmetit konsiderohet si shkrimtari ma i talentuem”. Për mua si studiues i letërsisë kjo fjali ka qenë një zbulim i vërtetë. Jam fascinuar kur e kam lexuar. Përse? Për shkak se aty mësova, ku më së paku e prisja, se talentin si shkrimtar atij nuk ia mohonin as ata që e denonconin e që e burgosnin. Përkundrazi, e konfirmonin atë, duke pohuar me gojën plot se ai ishte “i talentuem”, madje shumë më i talentuar se ata, por, ajme, kishte një të keqe të madhe: ishte armik i shtetit dhe jo një armik dosido, por i vendosur, trim e konsekuent deri në fund.

Adem Demaçi i ri, ky idealist i vërtetë, sikurse edhe shokët që iu bashkuan, kishte një ëndërr të madhe, heretike për kohën: ëndrrën e çlirimit të Kosovës nga zgjedha serbe dhe bashkimin e saj me Shqipërinë, prej së cilës ishte shkëputur padrejtësisht.

Për hir të kësaj ëndrre, Adem Demaçi i sakrifikoi talentin dhe karrierën e tij prej shkrimtari të dorës së parë. Kur ra në burg për herë të parë, në vitin 1958, me akuzën për “agjitacion e propagandë”, Ademi ishte emër i njohur në letrat shqipe në Kosovë. Ish-studenti i shkëlqyeshëm i letërsisë botërore, që me dijen dhe talentin e tij kishte çuditur edhe profesorët më të rreptë, dhe gazetar i rubrikës së kulturës në të vetmen gazetë shqipe në ish-Jugosllavi, “Rilindja”, kishte botuar, duke filluar nga viti 1953, në shtypin dhe periodikun letrar të Kosovës, kryesisht te “Jeta e re”, një varg tregimesh, me të cilat kishte përvetësuar lexuesit dhe kritikën letrare të kohës si një talent i rrallë në fushën e prozës, tejet deficitare në letërsinë e Kosovës. Nuk harrohen tregimet e tij: “Kur zoti harron”, “Mestani”, “Kthimi”, “Burija e Pizh Magjupit”, “Eu, Binak, eu…”, “Toka nuk sillet vetëm rreth boshtit të vet”, “Ezopi” e të tjera, që shquhen me temat, personazhet, ngjyrimin psikologjik, gjuhën e gjallë e autentike, ndjenjën e humorit dhe vlera të tjera, që i bëjnë ato modele të tregimit të shkurtër.

Pas një përvoje në fushën e tregimit, ku shkëlqen si të ishte nxënës i Çehovit ose O’Henrit, i inkurajuar edhe nga suksesi që arriti te lexuesit, Adem Demaçi do të kalojë në fushën e romanit. Kur nuk ishte më shumë se 22 vjeç, ai botoi, në faqet e “Jetës së re”, në dy vazhdime, romanin e tij të njohur, “Gjarpijt e gjakut”, i cili, po atë vit (më 1958), falë përkujdesjes së Esad Mekulit do të botohet si libër më vete në edicionin e “Jetës së re”. Njohës i mirë i jetës dhe i mendësisë së popullit të vet, i plagëve e dhembjeve të tij, Adem Demaçi do të verë gishtin aty ku duhej: te plaga e hapur e vëllavrasjes, duke u angazhuar jo në mënyrë banale, por nëpërmjet situatash artistike për kapërcimin e saj. Pamja e fundit e romanit, ku njëri nga personazhet (Mustafa), kundërshtar i rreptë i zakoneve prapanike, pas përleshjes së dy familjeve, i drejtohet një fëmije, simbol i së ardhmes, me fjalët: “Shtypi, shtypi këta gjarpij të gjakut!…”, flet jo vetëm për mesazhin e qartë të veprës, por edhe për mundësitë krijuese të autorit të saj.

Se sa është treguar largpamës Adem Demaçi në këtë vepër të papërsëritshme të prozës shqipe, flet edhe motoja e vënë në krye të saj: “Jo atyne që janë trima/ me ngrehë gishtin e krimit/ po atyne që janë trima/ me shtri dorën e pajtimit”. Jo rastësisht këto vargje, tridhjetë vjet më vonë, u bënë moto e lëvizjes për pajtimin e gjaqeve në vigjilje të viteve ‘90, kur Adem Demaçi ende mbahej në burg, por fara që kishte hedhur ai tashmë kishte mbirë dhe kishte dhënë frytet e saj.

Gjatë viteve të burgut, jo vetëm të parit e të dytit, por edhe të tretit, më të gjatit, Adem Demaçi nuk mundi ta ushtronte profesionin e shkrimtarit. Ndryshe nga ç’veprohej me intelektualët e tjerë disidentë të Evropës, atij nuk iu mundësua në burg që ta ushtronte zanatin e shkrimtarit. Në burgun e Stara Gradishkës, ku qëndroi në vitet e fundit, ai bënte punën e montuesit të stilolapsave, por atij vetë (çfarë ironie!) nuk i lejohej të shkruante. Ky fakt, sikurse edhe qindra të tjerë, tregon qartë se sa ishte i rremë miti mbi liberalizmin e regjimit titist jugosllav, të cilin me të drejtë disa analistë perëndimorë e cilësonin si “stalinizëm antistalinist”.

Edhe pas daljes nga burgu Adem Demaçi arriti t’i befasonte lexuesit, duke dëshmuar se vitet e gjata të burgut nuk e kishin tharë shpirtin e tij krijues. Në vitin 1994 botoi romanin “Libër për Vet Mohimin”, në të cilin u përpoq të shprehte, në mënyrë alegorike, vizionin e tij për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe, rrjedhimisht, edhe ëndrrën për një pajtim të mundshëm historik mes dy popujve të armiqësuar, serbëve dhe shqiptarëve.

Ndryshe nga romani i tij i hershëm “Gjarpijt e gjakut”, ku gjejmë tipin e prozës sociale të mjedisit rural, me elemente herë-herë etnografike, te kjo vepër Demaçi kultivon prozën urbane me elemente eseistike, që e hasim rëndom te shkrimtarët politikisht të angazhuar (Brehti, Sartri, Kërlezha etj.). Protagonist i rrëfimit është një intelektual shqiptar, ish-i burgosur politik, i cili, pas një qëndrimi të gjatë në burg, kthehet në vendlindje, ku sheh shumë ndryshime, por edhe një gjendje në thelb të pandryshueshme: atë të mungesës së lirisë kombëtare. Shikuar nga aspekti tipologjik ai i takon kategorisë së personazheve-ide e jo të personazheve-karaktere, gjë që e sugjeron edhe emri i tij: “Vet Mohim” (flijim i interesit vetjak për hir të interesit të përgjithshëm). Së bashku me një grup miqsh, bashkëmendimtarë të tij, ky personazh ideografik niset në kërkim të disa të vërtetave thelbësore me rëndësi jetike për jetën e banorëve të hapësirës ballkanike, por edhe për njeriun në përgjithësi.

Si të dilet nga kriza e krijuar pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë? Si të zgjidhet çështja shqiptare dhe veçanërisht çështja e Kosovës? Si të pastrohet Ballkani nga demonët që luajnë me fatin e popujve? Cilat janë rrugët më të drejta e më frytdhënëse për t’u mposhtur e keqja? Si të shpëtohet njeriu i sotëm nga rreziku që i kanoset prej teknikës? Si të shpëtohet natyra prej ndotjes? Si të çlirohet njeriu nga ankthi i vdekjes dhe a është i pavdekshëm shpirti i tij?

Njeri që pjesën dërrmuese të jetës e ka kaluar në burg, por pa e humbur kurrë lirinë e vet të brendshme, heroi i Demaçit, pas daljes nga “burgu i vogël” në “burgun e madh”, niset në kërkim të rrugëve të lirisë për vete dhe të tjerët, për “të vetët” dhe ata “të tjerët”, sepse askush nuk mund të jetë i lirë, sipas tij, duke e mbajtur në robëri dikë tjetër, duke e shtypur e shfrytëzuar atë. Mirëpo, si të arrihet kjo, në ç’mënyrë? – shtrohet pyetja. Dhe përgjigjja është:

jo me dhunë, por me marrëveshje;

jo me agresivitet, por me durim;

jo me urrejtje, por me dashuri.

Për Demaçin më trim është ai që fal sesa ai që vret, ndërsa më fatkeq – ai që e shkakton sesa ai që e pëson vuajtjen. Kjo do të thotë se filozofia e tij është filozofi e mosdhunës, por kurrsesi jo e qyqarllëkut. Për të nuk është i huaj koncepti i Gandit se “dishepull i vërtetë është ai që i njeh dhembjet e tjetrit si të ishin të tijat”, sikundër edhe parimi i lartë etik, i formuluar nga një urtar ballkanas, se trimëri është ta mbrosh veten nga të tjerët, ndërsa burrëri t’i mbrosh të tjerët nga vetja.

Duhet të lexohet krijimtaria e Adem Demaçit për të parë se në themel të saj qëndron ideja sublime e respektimit të lirisë së tjetrit si kusht i paqes, i lirisë dhe i prosperitetit. Duhet të lexohen dhe rilexohen tregimet dhe romanet e tij – dhe të gjitha shkrimet e tij, letrare e publicistike – për të nxjerrë “mësim” prej tyre dhe për t’u kënaqur me to. Sepse, ta lexosh Adem Demaçin do të thotë të bëhesh pjesëmarrës i një “udhëtimi dramatik filozofiko-politik dhe artistik”, siç thotë në një rast një nga personazhet e tij.

Prishtinë, 26 shkurt 2021