Adrian Gurma në “60 minuta”: Hotelet e Sarandës do të kushtojnë 20% më pak këtë vit!

Adrian Gurma në “60 minuta”: Hotelet e Sarandës do të kushtojnë 20% më pak këtë vit!

Në emisionin “60 minuta”, për të folur mbi turizmin në kohë pandemie, të ftuar në studio ishin kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi, kryetari i bashkisë Sarandë, Adrian Gurma, dhe eksperti i ekonomisë Ermal Telha.

Kryetari i Bashkisë Sarandë, Z. Gurma ka thënë se për shkak se Saranda ka qenë qytet i gjelbër, pritet që ky sezon të shkojë mirë, për shkak se pushuesit do të ndihen të sigurtë. “Ne jemi optimistë edhe pse situate nuk është normale, kjo pasi presim fluks turistësh shqiptar. Protokollet e sigurisë kanë shtuar kërkesën pasi siguria është një element që shet shumë në kohë pandemie. Turistët e huaj kryesisht kanë anuluar, megjithatë nëse hapen kufijtë, Saranda shpreson të presë një numër turistësh të huaj.”

I pyetur nga eksperti Telha mbi masat që ka marrë bashkia Sarandë për të lehtësuar bizneset turistike në këtë periudhë pandemie, Z. Gurma është shprehur se është në plan shtyrja e taksave vendore, por propozimi pritet të çohet në Këshillin Bashkiak.

Sa i përket komunikimit me pushtetin qendror, Z. Gurma ka shprehur se janë në diskutime të vazhdueshme për të përgatitur mirë sezonin turistik.

Në fund Z. Gurma ka bërë një apel drejtuar shqiptareve për të vizituar Sarandën duke theksuar se tanimë, për shkak të bashkëpunimet me hotelierët, këtë vit, çmimi i qëndrimit në Sarandë do të ketë ulje me 20%.

Eksperti i ekonomisë Z. Telha ka thënë se është moment i veçantë për Shqipërinë që të shfrytëzojë fuqinë blerëse shqiptare dhe për të eksploruar natyrën e mrekullueshme të vendit tonë. I pyetur për mundësinë e biznesit shqiptar për të pritur fluksin e këtij viti ai është shprehur se për këtë vit nuk janë mundësitë, por ky moment mund të shërbejë si mësim për të rritur kapacitetet vitin tjetër.

Sezoni turistik do të ketë reduktim të ardhurash, por situata do të jetë optimiste nëse shfrytëzohet i gjithë potenciali turistik i shqiptarëve që vitet e tjera kanë ikur jashtë. 1.9 miliardë që mund të humbin nga turistët e huaj që s’do vinë, mund të balancohet me 1.3 miliard fitime që deri dje shkonin për vende të tjera nga turistët shqiptar.“, ka përfunduar z. Telha.

D.B – SCAN

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.