Aeroplanët gjatë javës pritet të sjellin kosovarë që kanë mbetur jashtë, ende s’janë konfirmuar fluturimet

Aeroplanët gjatë javës pritet të sjellin kosovarë që kanë mbetur jashtë, ende s’janë konfirmuar fluturimet

Ministria e Infastrukturës po planifikon që të organizojë  disa fluturime gjatë kësaj jave për të kthyer në vend disa prej kosovarëve që kanë mbetur në shtete tjera. Por, se kur do të organizohen këto fluturime dhe sa do të jetë numri i qytetarëve që do të kthehen, ende nuk dihet.

Alban Zogaj, Shef i Kabinetit të Ministrit Lumir Abdixhiku, ka thene se ende nuk kanë datë konkrete për këto fluturime.

Sipas tij, vendimi për t’u lejuar fluturimet varet nga hapësira në Qendrën e Studentëve, e cila me vendim të Qeverisë së Kosovës është lëshuar për karantinë.

 “Po tentojmë të realizojmë fluturime këtë jave, por akoma nuk kemi datë konkrete. Kërkesa për kthim ka në vazhdimesi, por vendimi për të lejuar fluturimet varet nga hapësirat në Qendrën e Karantinës”, ka thënë Zogaj për Express.

Për gjendjen në Qendrën e Karantinës, është deklaruar dje edhe Ministri Lumir Abdixhiku.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Abdixhiku ka thënë se kushtet mund të mos jenë nga më të mirat, por karantimi po funksion.

Ai ka njoftuar se në konvikte janë vendosur mbi 500 qytetarë dhe se ditëve në vijim do të kthehen qindra të tjerë, të cilët do të vendosen në këtë qëndër.

“Kushtet në Karantinë mund të mos ishin nga më të mirat, ditët e para mund të kishin qenë edhe të vështira – mësuam në vështirësi – por karantinimi po funksionon. Mbi 500 qyretarë tanë janë vendosur aty. Janë ushqyer, përkujdesur e trajtuar me kapacitetet e një shteti që aq sa ka jep – por jep gjithçka. Janë testuar dyqind prej tyre, të gjithë janë liruar për në shtëpi. Qindra të tjerë do të kthehen gradualisht e do të vendosen aty njëtrajtësisht”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka bërë me tre personat të cilët kanë qenë në karantinë e kanë dalë pozitiv, nuk e kanë kontaktuar askënd.

“Të testuarit pozitiv, 3 sosh, për shkak të karantinimit nuk kanë kontaktuar askënd. As brenda as jashtë. Sa për krahasim, vetëm një qytetar pozitiv në një qytezë Kosove ka nisur zinxhirin pozitiv tek mbi 50 të tjerë. Pa karantinë do të kishim shpërthim. Me karantinë kemi edhe kontrollë edhe kthim në shtëpi”, ka shkruar ai.

Ndryshe, në gjithë vendin deri tani janë konfirmuar 145 raste me koronavirus. Mëngjesin e sotëm janë shënuar edhe dy viktima nga koronaviruasi, duke çuar në 3 numrin e të vdekurve.