Ahmeti: Këto biznese pritet të hapen nga java e parë e muajit maj në Prishtinë

Ahmeti: Këto biznese pritet të hapen nga java e parë e muajit maj në Prishtinë – Lajmet e fundit



Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që vendimi për karantinimin e kryqytetit të shfuqizohet, pasi ka disa ditë që nuk ka raste të reja

Në një intervistë në “Radio Prishtina” Ahmeti ka thënë se që nga java e kaluar ka bërë thirrje që të nisë lehtësimi i masave, duke filluar nga heqja e karantinës në Prishtinë.

“Unë kam bërë thirrje prej javës së kaluar që të fillojmë së paku me largimin e karantinës, pasi ajo është vendosur që t’i mbrojë qytetet tjera nga prishtina pas 20 rasteve me COVID-19, por më pas nuk patëm raste të reja”, ka thënë Ahmeti, transmeton “Zëri.info”.

I pari i Prishtinës ka bërë të ditur se nga muaji maj do të nisë lehtësimi i masave, të cilat do të hapnin disa nga dyqanet e vogla në Prishtinë dhe ky lehtësim të vazhdohet në tri faza, deri në hapjen e qendrave tregtare.

“Duke filluar nga muaji maj duhet të nisim të heqim disa masa, t’i hapim dyqanet e vogla në bazë të hapësirave me metër katror, si; dyqanet zejtare, butiqet e voga, pra jo vendet që grumbullojnë njerëz shumë, por dyqanet individuale që i shohim gjithandej nëpër qytet, që mund të funksionojnë me rregulla dhe pastaj faza e dytë do të ishte një relaksim pak më i madh, i cili do të nënkuptonte disa sektorë tjerë, si ushqimet që merren me vete dhe deri në fazën e tretë, që duhet të vijë nga mesi i qershorit, që do të hapeshin qendrat tregtare dhe vendet ku mund të ketë qarkullim më të madh, me të vetmin kujdes, pastaj tubimet si koncertet muzikore, lojërat sportive do të shkonin pak më gjatë, varësisht numrit të të infektuarve që mund të kemi”, ka thënë Ahmeti në emisionin “GetUP-StandUP” në “Radio Prishtina”, transmeton “Zëri.info”.

Ai gjthashtu ka thënë se numri i vogël i rasteve pozitive me COVID-19 në Kosovë është shumë shpresëdhënës dhe tregon se po shkojmë në drejtimin e duhur, por sipas tij kjo nuk do të thotë se kemi fituar gjithë betejën me koronavirusin, duke bërë thirrje që qytetarët të vazhdojnë të kenë kujdes në mbrojtjen e shëndetit. /ZËRI