AKEP: 77% e familjeve tashmë kanë akses në internet

AKEP: 77% e familjeve tashmë kanë akses në internet

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) vlerëson se afërsisht 77% e familjeve shqiptarë kanë akses në internet me brez të gjerë nga linjat fikse.

Sipas të dhënave të vitit 2021, ky tregues është rritur me 7 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.

Ndërsa e matur si shkallë penetrimi i linjave fikse të internetit në raport me popullsinë, AKEP vlerëson se ky tregues në fund të vitit të kaluar arriti në 19.7%, nga 17.8% që kishte qenë në vitin 2020.

Megjithë rritjen e vazhdueshme në vitet e fundit, shifrat tregojnë se hendeku mes zonave urbane dhe atyre rurale vazhdon të jetë shumë i lartë. Të dhënat tregojnë për një normë të penetrimit të internetit nëpërmjet rrjeteve fikse në zonat urbane mesatarisht 30% dhe në zonat rurale mesatarisht 8%. Bazuar në të dhënat rajonale në 2021 vërehet se qarqet me normat më të larta të penetrimit urban janë Tirana dhe Korça, përkatësisht me nga 43.55% dhe 27.8% ndërsa Durrësi është qarku që ka normën më të lartë të penetrimit rural rreth 23%, i ndjekur nga Tirana, Shkodra dhe Lezha me nga 10%.

Këto tregues megjithatë duhen marrë me një lloj rezerve, edhe për shkak të metodologjisë. AKEP i përllogarit treguesit e penetrimit të internetit si numër total të lidhjeve fikse kundrejt numrit të familjeve dhe të popullsisë. Megjithatë, numri total i lidhjeve përfshi një numër të konsiderueshëm dhe të abonentëve biznes, megjithëse statistikat e AKEP nuk ofrojnë detajim sipas kategorisë së klientëve.

Gjithashtu, burime nga tregu bëjnë të ditur se numri i përgjithshëm i lidhjeve të internetit mund të jetë disi i mbivlerësuar, sepse shumë operatorë kanë tendencën të raportojnë numër më të madh të abonentëve nga sa shërbejnë realisht. Kjo bëhet kryesisht duke mos i fshirë nga statistikat abonentët që largohen dhe mbyllin kontratat.

Të dhënat nga AKEP treguan se numri i abonentëve të internetit me linja fikse arriti në më shumë se 536 mijë në fund të vitit 2021. Gjatë vitit të kaluar, numri i përgjithshëm i abonentëve u rrit me 5.6%, ndërsa për vitin 2020 rritja e numrit të abonentëve kishte qenë rreth tre herë më e lartë, me 16.7%.

Aksesi në internet po bëhet gjithnjë e më shumë një domosodshmëri edhe në marrjen e shërbimeve publike, sidomos nga momenti që ofrimi i tyre ka kaluar pothuajse 100% në kanalet online. Por, veçanërisht në zonat rurale ky akses është ende mjaft i ulët, për shkak të fuqisë së dobët blerëse që nuk i nxit investimet për zgjerimin e infrasturkturës së rrjeteve. Megjithë hendekun e konsiderueshëm që ekziston, Shqipëria ende nuk ka arritur të ndërtojë një skemë financimi për shtrirjen e rrjeteve në zonat ku nuk ekziston interesi tregtar nga ana e operatorëve privatë. Nga përvoja e vendeve të tjra, skema të tilla ngrihen kryesisht me kontribut direkt të sektorit publik ose duke subvencionuar në mënyra të ndryshme operatorët për të investuar në këto zona. /Monitor