AKP-ja miraton raportin e shpërndarjes së përkohshme për pesë ndërmarrje në likuidim

AKP-ja thotë se s’do të ketë valë të shitjes deri në formimin e institucioneve të reja

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit njofton opinionin se në takimin e tij joformal të mbajtur javën e kaluar, me datë 19 shkurt 2021, ka udhëzuar Menaxhmentin e AKP-së që të mos vazhdoj me valët e shitjes deri në krijimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e datës 14 shkurt 2021.

AKP, gjithashtu dëshiron të bëjë të qartë se
ka qenë bashkëpunuese dhe vazhdimisht ka ofruar mbështetjen në vazhdën e
përpjekjeve të secilës qeveri për të ndryshuar strategjinë e privatizimit të
ndërmarrjeve dhe pronave shoqërore. AKP, gjithashtu ka ofruar bashkëpunim të
shkëlqyeshëm me Komisionin Hetimor Parlamentar, duke ju përgjigjur të gjitha
kërkesave dhe duke shpalosur të gjithë dokumentacionin e kërkuar.

Duke pasur parasysh planifikimet buxhetore të
Qeverisë për vitin 2021 dhe obligimet ligjore të AKP-së që të zbatoj ligjin në
fuqi, Bordi ka shqyrtuar mundësinë e rifillimit të shitjeve në mënyre që të
hyrat buxhetore të arrihen sipas Ligjit për Buxhetin. Sidoqoftë, e ritheksojmë
se qysh javën e kaluar, në respektim të procesit të formimit të institucioneve
të reja, dhe me qëllim të koordinimit sa më të ngushtë me Kuvendin dhe
Qeverinë, Bordi ka marr vendim për pezullimin e valëve të shitjes.

AKP, në mënyrë të vazhdueshme ka qenë e hapur
dhe bashkëpunuese me secilën qeveri, zyrtarët e lartë të institucioneve
qendrore dhe lokale konform mandatit të saj ligjor. Kjo praktikë do të vazhdoj
edhe në të ardhmen duke respektuar në plotni kornizën ligjore në fuqi dhe
obligimet e ndërsjella me institucionet relevante.

Për hir të informimit të saktë të opinionit
publik dhe të gjitha palëve të interesuara, përveç shitjes së aseteve në
pronësi shoqërore, AKP në mandatin dhe përgjegjësinë e saj ka edhe menaxhimin
me kërkesat dhe procedurat e pagesave për 20%-shin për punëtorët e ndërmarrjeve
shoqërore (rreth 50000 përfitues deri më tani), shqyrtimin dhe përballjen me
kërkesat kreditore (rreth 2.1 Miliard Euro nga kreditorë të brendshëm dhe të
jashtëm), ballafaqimin me mbi 25000 konteste gjyqësore që ndërlidhen me pronat
shoqërore, mbrojtjen në dy arbitrazhe të komplikuara ndërkombëtare në vlerë
prej rreth 30 Milion Euro dhe administrimin e përditshëm të 591 Ndërmarrjeve
shoqërore me rreth 2300 aseteve në mbarë territorin e Kosovës (të cilat
vazhdimisht rrezikohen nga tjetërsimi i paligjshëm). Realizimin e këtij mandati
ligjor e vështirëson në masë të madhe presioni publik, i cili në shumicën e
rasteve është i bazuar në informata jo të plota dhe jo zyrtare.

Koncepti i transformimit të pronës shoqërore,
Ligji mbi Agjencinë Kosovarë për Privatizim, dhe procesi i privatizimit në
formën e tanishme nuk janë produkte e as vendime të AKP-së, por të
institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës, specifikisht të Kuvendit dhe
Qeverisë së Republikës së Kosovës.

AKP vepron në bazë të kësaj kornizë ligjore
dhe rregullisht i raporton institucioneve qendrore për veprimet e saj. Andaj,
për shkak të ndjeshmërisë së procesit, ju bëjmë thirrje të gjithë akterëve
politikë e institucional që të jenë të kujdesshëm dhe të përmbahen nga
kualifikimet publike të bazuara në informata jo të plota, të cilat për me tepër
janë paragjykuese dhe të dëmshme për imazhin e një institucioni të pavarur
kushtetues dhe ligjor, si dhe integritetin personal dhe profesional të
zyrtarëve brenda këtij institucioni.

AKP mbetet e hapur dhe transparente që të
ndajë informata me këdo që ka interesim për procesin e privatizimit dhe
administrimit të pronave shoqërore.