Aktgjykimi ndaj Gucatit e Haradinajt, trajtohet çështja e pretendimeve lidhur me personat kundër të cilëve s’ka aktakuzë

Aktgjykimi ndaj Gucatit e Haradinajt, trajtohet çështja e pretendimeve lidhur me personat kundër të cilëve s’ka aktakuzë – Lajmet e fundit



Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë publikuar në faqen e tyre zyrtare aktgjykimin në versionin e redaktuar, në gjuhën shqipe, e shpallur më 18 maj 2022, ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.

Në një pjesë të këtij aktgjykimi trajtohen pretendimet që kanë të bëjnë me persona kundër të cilëve nuk është paraqitur aktakuzë.

Aty thuhet se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ngriti akuza vetëm kundër Gucatit dhe Haradinajt për veprat penale të pretenduara në aktakuzë.

“Megjithatë, në pjesë të ndryshme të aktakuzës, ZPS-ja përmend persona të tjerë, të cilët ajo pretendon se kontribuan ose morën pjesë në kryerjen e këtyre veprave penale, konkretisht: (i) Faton Klinaku (“z. Klinaku”) dhe Tomë Gashi (“z. Tomë Gashi”); (ii) anëtarë ose përfaqësues të tjerë të Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (“OVL-UÇK”);  dhe (iii) persona të cilët morën pjesë, shikuan ose u informuan për tri konferencat e shtypit dhe paraqitje të tjera në media, dhe disa përfaqësues të shtypit ose persona që zotëronin ose kishin qasje në informacionin konfidencial (“personat e tjerë”). ZPS-ja u referohet z. Klinaku, z. Tomë Gashi dhe anëtarëve të tjerë ose përfaqësuesve të OVL-UÇK-së bashkërisht si “ndihmës””, thuhet tutje në këtë pjesë të aktgjykimit.

Sipas aktgjykimit, dosja paraprake dhe dosja gjyqësore përfundimtare e ZPS-së përmbajnë argumente të hollësishme lidhur me veprimet dhe sjelljet e Klinakut dhe të Tomë Gashi, për të cilët, ZPS-ja deklaroi se morën pjesë me vetëdije në kryerjen e veprave penale të përfshira në aktakuzë.

“Gjatë gjykimit u ngrit tema e përgjegjësisë penale të personave kundër të cilëve nuk është paraqitur aktakuzë, në lidhje me dëshmitarin e ZPS-së (W04866), Halil Berisha (“z. Berisha”). Palët shprehën mendimin se z. Berisha nuk kreu asnjë vepër penale me përpilimin dhe publikimin e disa artikujve në lidhje me materialin që mori”, thuhet tutje.

Sipas aktgjykimit, në deklaratat përmbyllëse, mbrojtja e ftoi Trupin Gjykues që të vlerësonte sjelljen dhe të kuptuarit e ligjit nga të akuzuarit krahasuar me Berishën dhe të nxirrte përfundimin se ashtu siç  Berisha nuk kreu asnjë vepër penale, nuk kryen as dy të akuzuarit.

“Trupi Gjykues vë në dukje se ZPS-ja nuk ngriti akuza kundër z. Klinaku, z. Tomë Gashi dhe ndonjë ndihmësi tjetër, personave të tjerë ose z. Berisha. Në përputhje me prezumimin e pafajësisë, Trupi Gjykues merr në shqyrtim sjelljen dhe deklaratat e këtyre personave aq sa është e nevojshme për vlerësimin e përgjegjësisë penale të të akuzuarve. Rrjedhimisht, Trupi Gjykues nuk do të nxjerrë përfundime në lidhje me përgjegjësinë penale për asnjërin nga këta persona. Gjithashtu, Trupi Gjykues nuk do të nxjerrë asnjë përfundim në lidhje me përgjegjësinë penale të të akuzuarve nga mendimet e palëve për personat kundër të cilëve nuk është paraqitur aktakuzë”, thuhet në aktgjykim.

Ndryshe, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj më 18 maj u shpallën fajtorë dhe u dënuan me nga 4 vjet e gjysmë burgim dhe gjobë në shumën prej 100 euro, për veprat penale që ndërlidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë. 

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinajn, akuzoheshin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkoheshin se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës. /BetimipërDrejtësi