Albania Open Festival - Credins Bank jep kupën “Ekipi Më i Mirë” në edicionin 22

Albania Open Festival – Credins Bank jep kupën “Ekipi Më i Mirë” në edicionin 22

Albania Open ka zhvilluar edicionin e 22-të, me pjesëmarrje rekord të 75 pilotëve nga e gjithë bota, të cilën konkurruan në fluturimin me paragliding. Festivali zgjati 3 ditë dhe u mbyll me ceremoninë e shpalljes së 3 çmimeve të para; çmimin “Golden Lady”, si dhe “Ekipi më i Mirë”.

Borjan Jovanoski nga Maqedonia e Veriut, ishte piloti që triumfoi në garën e ngushtë, duke fituar çmimin e parë. I pranishëm në shpërndarjen e trofeve ishte Ministri i Turizmit, Blendi Klosi, Presidenti i Aeronautikës Shqiptare, Renis Tërshana, përfaqësues të Credins Bank, si dhe përfaqësues nga Aeronautika e Kosovës.

Edicioni i 22-të i Albania Open mirëpriti për herë të parë pilotë nga shtete të reja që i bashkëngjiten listës së pjesëmarrësve, si Franca apo Spanja.

 “75 pilotë, ishte e jashtëzakonshme! Nuk ka event në botë në këtë lloj kategorie që merr këtë numër. Zakonisht me 25 pilotë shumë të ngushtë, ndërsa këtë herë ardhja tregoi që nuk po pyesin për pandeminë por duan vetëm të vizitojnë Vlorën, të vizitojnë këtë ambient të bukur dhe të marrin pjesë dhe të marrin pikë në këtë garë” u shpreh Alket Islami, Drejtor Ekzekutiv, Albania Open.

Aeronautika shqiptare, si sporti që bën të gjithë bashkë në ndjesinë e lirisë dhe që jep kontribut jo vetëm në promovimin e aktiviteteve të fluturimeve, por edhe në promovimin e Shqipërisë, ka një vëmendje të veçantë të Bankës Credins, e cila prej vitesh është sponsor gjeneral i Albania Open.

“Credins ne e kemi një nga partnerët kryesorë të eventeve, mos të themi partner gjeneral që gjithmonë ka qenë është dhe do jetë pjesë e eventeve tona dhe çmimi i ekipit më të mirë do të marrë edhe kupën që do të dorëzohet nga banka Credins, që do të quhet Kupa e Credins” shtoi Alket Islami.

“Tanimë është bërë traditë për bankën Credins të japë suportin për këtë aktivitet i cili mbledh garues nga e gjithë bota, gjithashtu edhe të apasionuar të cilët janë të interesuar për të mësuar për këtë sport akoma më tepër” u shpreh Irini Velko, Credins Bank, dega Vlorë.

 Pas ceremonisë së shpërndarjes së çmimeve, mbrëmja u mbyll me një spektakël fishekzjarrësh, si dhe me mundësinë e shkëmbimit të kulturave dhe eksperiencave të fluturimit të pilotëve vendas dhe atyre ndërkombëtarë.

 Jenida Vladi/ SCAN

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.