Alije Vokshi, piktorja e guximit dhe zërit të gruas

Alije Vokshi, piktorja e guximit dhe zërit të gruas

Prishtinë, 14 shkurt – Është piktorja që i dha zë e fytyrë gruaje pikturës në Kosovë. Ky ka qenë njëri prej vlerësimeve që i është bërë të martën artistes Alije Vokshi, të martën në Galerinë Kombëtare të Arteve në Kosovë, në diskutimin e fundit në kuadër të ekspozitës “Burrneshat” në të ashtuquajturin “Programi i Debatit dhe i Edukimit”.

Ani pse nuk ishte e pranishme në diskutim, për shkak të gjendjes së saj shëndetësore, ish-studentë të saj kanë folur me admirim për Vokshin (74), shqiptarja e parë e Kosovës e diplomuar në pikturë.

Nipi i saj, Lorik Sylejmani, po ashtu artist, rrëfeu për figurën e saj brenda familjes dhe mënyrës se si pasionin për artin e përçonte edhe ndër ta.

“Portretet, aktet dhe peizazhi janë pjesët e saj të parapëlqyera, megjithatë tezja krijonte art edhe kroki, me ngjyra me bollëk”, ka rrëfyer Sylejmani.

Në vitin 1966 ajo filloi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Beograd në klasën e maestros Milo Milunoviq, e dy vjet më vonë po aty edhe në klasën e profesorit Nedelko Gvozdenoviq ku u shqua si studente me nota maksimale.

Sylejmani ka kujtuar se si ajo gjithmonë kishte pikturuar personat e dashur ndër ta edhe atë të vjehrrës së saj, në veprën e vitit 1972 të pagëzuar “Ina” ku paraqitet një grua e moshuar në dukje e qetë dhe e dashur që bart një shami të zezë në kokë. Kjo është vepra e Alije Vokshit që zë vend edhe në ekspozitën “Burrneshat”.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.