Ambasada e Kosovës në Berlin mban ceremoninë e dhurimit të librave të gjuhës shqipe në Gjermani

Ambasada e Kosovës në Berlin mban ceremoninë e dhurimit të librave të gjuhës shqipe në Gjermani

Është bërë e ditur se në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Berlin u mbajt ceremonia e dhurimit të librave mësuesve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Gjermani.

Në prani të ambasadorëve të Shqipërisë, Artur Kuko, të Kosovës Beqë Cufaj dhe të Maqedonisë Veriut, Ramadan Nazifi, librat e Qendrës së Botimeve për Diasporën e Republikës së Shqipërisë iu dorëzuan mësuesve të angazhuar në zhvillimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Gjermani.

Ceremonia e dhurimit të librave u shoqërua me një diskutim shumë profesional mbi gjendjen aktuale dhe masat e mëtejshme që duhen të merren në mënyrë të koordinuar nga institucionet e vendeve të origjinës, në konsultim të vazhdueshëm me mësuesit e të gjitha brezave për konsolidimin dhe zgjerimin e mësimdhënies së gjuhës shqipe në Gjermani.

Si çdo vit më parë, së shpejti pritet që të mbërrijnë në Gjermani edhe librat e botuara nga Republika e Kosovës, për t’u vënë në dispozicion të mësuesve të gjuhës shqipe në të gjitha landet në Gjermani.

Gjatë takimit u shkëmbyen shumë ide mbi:

-Rrugët me efikase dhe hapat konkretë që duhet të ndërmerren në vijim, për rritjen e numrit të nxënësve në bashkëpunim me prindërit;

-Përshtatjen e teksteve të gjuhës shqipe për Diasporën në harmoni me dinamikën e kohës.

Ambasadat e RSH dhe të Kosovës në Berlin falendërojnë mësuesit që erdhën nga distanca edhe shumë të largëta për marrjen e librave, por mbi të gjitha, për kontributin e admirueshëm që po japin për ruajtjen dhe trashëgiminë e gjuhës amtare shqipe te brezat e rinj që jetojnë në Gjermani. /Albinfo.ch/ KultPlus.com