Ambasadorët e huaj në Kosovë përkrahin vendimet e Kurtit për reciprocitet ndaj Serbisë

Ambasadorët e huaj në Kosovë përkrahin vendimet e Kurtit për reciprocitet ndaj Serbisë – Lajmet e fundit



Janë bërë po thuajse 11 vjet prejse Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshjen për zbatimin e reciprocitetit, që përfshin çështjen e targave dhe dokumenteve të udhëtimit.

Mirëpo, më 1 gusht të këtij viti Qeveria mori vendim që dokumentet e Serbisë të mos njihen në vend, gjë që shkaktoi reagime të shumta, shkruan Zeri.info.

Serbët në veri reaguan ndaj këtij vendimi, duke vendosur barrikada, por edhe shtinë në drejtim të policisë.

Qeveria u akuzua se ky veprim nuk ishte i planifikuar siç duhej dhe se nuk ishte bërë në koordinim me aleatët ndërkombëtarë.

Por, ambasadori i Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se vendimet për reciprocitetin ishin në koordinim me komunitetin ndërkombëtar, si dhe mirëpriti vendimin e Qeverisë për shtyrjen e afatit për zbatimin e reciprocitetit.

“SHBA-ja mirëpret vendimin e liderëve të Kosovës për të pezulluar përkohësisht zbatimin e masave të reciprocitetit për targat dhe dokumentet hyrëse/dalëse, të dyja masat janë plotësisht në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe ishin të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar”, shkroi ai.

Në anën tjetër, edhe ambasadori gjerman Jorn Rohde pas takimit me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani tha se vendimet e Qeverisë janë plotësisht legjitime dhe në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit.

“Theksova se vendimet janë legjitime, si dhe plotësisht më përputhje me Marrëveshjen e Brukselit”, shkroi Rohde në Twitter. /Zëri