“Anibari” në ditën e tretë zgjeron garën, hap kapitull të ri për ninullat

“Anibari” në ditën e tretë zgjeron garën, hap kapitull të ri për ninullat

Kur gjatë shekujve janë kënduar ninullat, nënave zor t’u ketë shkuar mendja te animacioni. Bile ato që kanë jetuar para vitit 1833 – kur u zbulua efekti straboskopik – as nuk ka pasur mundësi ta përfytyrojnë se midis viteve 1895-1920 në kuadër të hovit kinematografik, në këtë industri do të forcohej edhe bota e animacionit. E kur këto dy botë – animacioni edhe ninullat – bëhen bashkë, këngët e djepit mund të shoqërohen edhe me pamje. Këtë e ka bërë Besa Berberi.

Në ditën e tretë të festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar “Anibar”, në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë është shfaqur animacioni “Ninulla N”, i pari nga seria “7 Ninullat”, një projekt në zhvillim e sipër.

Të pranishmit kanë parë se si kënga e vjetër e djepit, e kënduar nga Berberi, njëherësh producente e ideatore e kësaj serie me narracion interpretuar nga aktorja Safete Rogova, mund të bëhet bashkë me animime. Pjesë e audiencës ku ninulla është shfaqur me pamje të valëve të detit e edhe me ilustrime të embrionit, kanë qenë edhe disa fëmijë. Por përtej përjetimit të ninullës që e ëma ia këndon së bijës, “Ninulla N”, siç përshkruhet, “është riprodhim në të tashmen i tingujve që kanë mbetur në kujtesë e rikthehen për t’ua përcjellë gjeneratave”.

Ngjarja e pasdites që është shoqëruar me një panel, ka qenë veç një prej pikëtakimeve të mysafirëve e pjesëmarrësve të “Anibarit”.

E festivali që sivjet shënon edicionin e 12-të, në ditën e tretë të tij veçse ka marrë hov. Me të hyrë në bulevardin kryesor të qytetit, kalimtarët nuk mund t’i shmangen botës së animacionit. E gjejnë atë në shtandin kryesor që përdoret për të shitur fanella, çanta e gjësende të tjera me temën e sivjetshme “Izolimi” e deri te panotë në çdo cep. Ata që ia mësyjnë kinemasë së qytetit “Jusuf Gërvalla” apo ndonjërës nga kinematë e tjera, “menynë” e kanë të shumëngjyrshme.

Janë 300 filma që shfaqjen në 9 kategori. Për herë të parë kategori më vete janë edhe filmat vendorë. Vetëm të dielën në katër kinematë janë shfaqur 22 filma. E rrugëtimi i kësaj dite ka filluar me prezantimin e animatores kanadeze Lori Malépart.

Ata që janë ngjitur në parkun “Karragaç” kanë përjetuar një eksperiencë unike. Liqeni është ai që ndan nga publiku këtë kinema të hapur. Por oferta nuk ndalet me kaq. Nëpërmjet barkave të vogla prej gome, për dy persona, “Kino Liqeni” ofron mundësi që të shikohen filmat duke lundruar. E kjo e bën këtë kinema të veçantë jo veç në këtë anë të globit që kur përmendet animacioni, festivali “Anibar” është ai që mban primatin për Ballkan. “Butterfly Jam”, “The Midnight Sun”, “Favorite Daughter”, “Papa Zaza”, “Eating in the Dark” dhe “Mom’s Hair”, janë disa prej filmave që janë shfaqur në “Kino Liqeni”. Të dielën gara është zgjeruar edhe me kategorinë “Human Rights Competition 1”. Janë gjashtë filma që janë shfaqur në këtë kategori.

Për dallim prej kategorive garuese, animacioni i solo-këngëtares Besa Berberi është dhënë si premierë e veçantë jashtë garës. Pas filmit është zhvilluar edhe paneli “Rijetësimi i ninullave me animacion”.

Nën moderimin e gazetarit e producentit të KTV-së, Dardan Selimaj, diskutimi ka zbardhur procesin krijues të animacionit të parë në kuadër të serisë së Berberit, e diplomuar në solo-këndim në Universitetin e Zagrebit e që kreu studimet postdiplomike në “Trinity College” në Londër, për ta vazhduar ngritjen profesionale në Universitetin Shtetëror të Arizonës.

Qysh para tre vjetësh Berberi po e “bluante” në kokë idenë për realizmin e serisë. Të parës veç i ka dhënë epilog. Berberi ka gjashtë motra e një vëlla. Simbolika e numrit për serinë, lidhet edhe me ditët e javës. Por Berberi e kontekstualizion edhe me një tjetër aspekt mënyrën se si e ka konceptuar projektin, pos anës personale. Ka edhe kontekstin social.

“Ninulla e sotme është rrëfim i nënës që flet me fëmijën”, ka thënë Besa Berberi për “Ninullën N

Animacionin e parë ia ka kushtuar motrës së madhe. Lidhja e saj me ninullat në kuptimin e krijimtarisë zë fill goxha kaherë. Po jetonte në Britaninë e Madhe kur Këshilli Britanik e kishte ftuar që të performonte në një ngjarje që shënonte dhjetëvjetorin e masakrës së Srebrenicës. Berberi ka treguar se asokohe po i thërriste mendjes që të realizonte një performancë sa më përmbajtjesore në Londër.

“Kam hulumtuar shumë. Por më ra ndër mend për fëmijët që kanë vdekur e ata që nuk kanë lindur shkaku i masakrës. Ka ninulla edhe për fëmijë të vdekur. E kam mbajtur koncertin në Londër. Ka shumë ninulla për djem. Por ka mjaft edhe për femra”, ka rrëfyer Berberi, e cila në projektin e saj synon t’i nxjerrë nga harresa ninullat për vajza. Ninullat i ka pasur edhe pjesë të një performance të mbajtur në Prishtinë e më pas edhe në Tiranë. Ka përgatitur edhe një CD me ninulla të cilën s’e ka promovuar ende.

“Ninulla e sotme është rrëfim i nënës që flet me fëmijën”, ka treguar ajo për “Ninullën N”, që “vjen si variacion folklori në kohë moderne, lundrim muzikor e poetik si ëndrrat e nënave, me ardhjen e fëmijës në jetë. “Përjetim ndjenjash delikate e të pastra”, është përshkrimi që i bëhet.

ka një datë se kur do të marrë epilog seria e nisur. “Pare po kemi boll por jo edhe ide. Nejse, është e kundërta”, ka thënë me humor Berberi, e njohur për kontributin e saj kulturor e social.

Shpend Kada, i cili është një prej animatorëve të filmit, ka thënë se kjo ishte përvoja e tij e parë në animacion pasi më herët është marrë veç me vizatime.

“Qysh me vizualizu ninullën? Mendoja që ajo është veç një këngë që të futë në gjumë”, ka thënë Kada, i cili në “Ninullën N”, me tekst të Zana Gjonbalajt, për animacion ka punuar bashkë me Benjamin Haxhën, Fatmir Gjevukajn e Mentor Berishën.

Sikurse e diela, edhe dita e parë e javës në Festival do të jetë plot me ngjarje. E hëna në “Anibar” do të fillojë me disa aktivitete që ecin paralelisht. Është animatori gjerman Frédéric Schuld i cili do të ligjërojë mbi temën “Dokumentarët e animuar”. Gara do të vazhdojë në disa kategori. E për dallim nga dita e diel, të hënën nuk do të ketë program relaksues te liqeni i parkut shkaku i shpalljes së ditës së zisë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Kësisoj edhe Festivali do të solidarizohet me viktimat tragjedisë së autobusit që po udhëtonte nga Frankfurti drejt Prishtinës. Për këtë me një minutë heshtje do të nisë edhe ngjarja e parë të hënën.

Folegjenda: “Ninulla e sotme është rrëfim i nënës që flet me fëmijën”, ka thënë Besa Berberi për “Ninullën N”