Ankande hibride për centralet diellore dhe eolike - Risitë e procedurave, shteti nuk do vendosë tokën në dispozicion të investitorëve

Ankande hibride për centralet diellore dhe eolike – Risitë e procedurave, shteti nuk do vendosë tokën në dispozicion të investitorëve

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë planifikon zhvillimin e ankandeve hibride për ndërtimin e centraleve të prodhimit të energjisë nga dielli dhe era. Kjo është një formë, që nuk është aplikuar deri më tani e që nënkupton se shteti nuk do të angazhohet me vendosjen e tokës në dispozicion të investitorëve, por do jenë këta të fundit që do të ofrojnë të gjithë paketën e investimit, duke nisur nga toka, investimi financiar e deri tek operimi. Bazuar në këtë formë të re ankandi, kompanitë do të garojnë mes tyre, për të marrë çmimin më të ulët, me të cilin shteti do iu garantojë blerjen e sasisë së energjisë, që do të përcaktohet në kontratë.

Deri më tani, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka zhvilluar 2 ankande për ndërtimin e parqeve fotovoltaike në Spitallë dhe Karavasta, ndërkohë që paralelisht ka njoftuar se do të zhvillojë ankandin e parë për ndërtimin parqeve eolike. Më herët, janë dhënë detaje edhe mbi mbështetjen që do të ofrohet për kompanitë që do të rezultojnë të suskesshme, ku çdo ofertues i përzgjedhur do të lidhë një Marrëveshje të Blerjes së Energjisë me afat 15-vjeçar për të shitur 100% të energjisë së prodhuar nga projekti i tij, duke përfituar masa mbështetëse me një çmim fiks, të barabartë me atë në ofertën financiare të paraqitur në procesin konkurrues.

Ankandi do t’i japë mundësinë ofertuesve të propozojnë projekte me një kapacitet minimal prej 30 MW dhe një kapacitet maksimal prej 75 MW, nga ku MIE do të përzgjedhë për të mbështetur me marrëveshje për blerjen e energjisë, projekte me një total prej 130 MW.

Ola Mitre / SCAN

 

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.