Anulohet konkursi me të cilin Ministria kërkonte gabimisht “drejtor artistik” të Teatrit

Anulohet konkursi me të cilin Ministria kërkonte gabimisht “drejtor artistik” të Teatrit

Ministria e Kulturës së bashku me Këshillin Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës kanë anuluar konkursin për udhëheqës artistik të institucionit më të lartë teatror në vend. Ky vendim është marrë pasditen e së hënës.

“Për anulimin e procedurave të rekrutimit për pozitën në fjalë u vendos pas pranimit të ankesave dhe pakënaqësive të komunitetit artistik, dhe me vlerësimin e bërë të procedurës nga administrata e MKRS-së”, shkruhet në njoftim. Sipas njoftimit, shumë shpejt do të shpallet konkursi për këtë pozitë.

Në konkursin e hapur në dhjetor të vitit të kaluar, MKRS-ja ia kishte huqur emërtimit të pozitës. Konkursi ishte hapur për “drejtor artistik”, përderisa sipas Ligjit për teatro kjo pozitë parasheh “udhëheqës artistik”. Bazuar në këtë gabim, Shoqata e Artistëve të Teatrit në janar i ishte drejtuar Ministrisë së Kulturës dhe Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës me kërkesë për anulim të konkursit për njërën pozitë. Në kërkesë shkruhet se në kuadër të mandatit të Shoqatës është realizuar një vlerësim i dokumenteve bazike të konkursit zyrtar të hapur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Sipas shkresës, gjatë këtij vlerësimi është vënë re që njëri prej dy konkurseve është në kundërshtim me Ligjin për teatër.

Me të njëjtën kërkesë i ishte drejtuar MKRS-së edhe të premten e javës që shkoi.

“Në konkursin me referencë 4163/2020 specifikohet titulli i punës i konkursit që është ‘drejtor artistik’. Kjo pozitë, në bazë të legjislacionit në fuqi nuk ekziston fare. Teatri Kombëtar i Kosovës ka vetëm një drejtor, atë të përgjithshëm. Njëherësh ka edhe udhëheqës të ndryshëm, ndër ta edhe udhëheqësin artistik”, shkruhet në kërkesë. Aty kërkohej anulimi i konkursit.

“Pra, konkursi në fjalë është hapur për një pozitë të punës, e cila nuk ekziston në strukturën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Si i tillë, ky konkurs nuk është valid dhe është jolegjitim. Për këtë arsye, SHATK-u kërkon që ky konkurs të anulohet menjëherë, dhe pa humbur kohë të hapet konkursi për udhëheqës artistik të TKK-së”, shkruhet në kërkesën që është dërguar në emër të anëtarëve të Bordit Ekzekutiv të Shoqatës: Armend Smajli, Erson Zymberi, Faris Berisha, Kushtrim Koliqi dhe Rebeka Qena.

Deri në vitin 2012 pozita e udhëheqësit artistik, sipas Ligjit për teatro, ishte e emëruar si “drejtor artistik”. Por me hyrjen në fuqi të Ligjit aktual, drejtor quhet vetëm drejtori i përgjithshëm.

Për udhëheqës artistik në Teatrin Kombëtar të Kosovës kishin konkurruar regjisorët Sokol Plakolli dhe Ekrem Sopi. Pos tyre në garë është edhe dramaturgia Albana Muja. Këshilli Drejtues kishte përcaktuar që testi me shkrim të mbahej të martën e kësaj jave. Pozita e udhëheqësit artistik ka mbetur vakante qysh prej qershorit të vitit 2019. Mospranimi i detyrës nga Fatos Berisha kishte bërë që Këshilli Drejtues me shumicë votash të emëronte si ushtrues të detyrës së udhëheqësit artistik të TKK-së, aktorin Adrian Morina.