Anulohet turneu i boksit “Lah Nimani” - MKRS nuk e jep lejen për shkak të pandemisë

Anulohet turneu i boksit “Lah Nimani” – MKRS nuk e jep lejen për shkak të pandemisë

Federata e Boksit e Kosovës ka njoftuar se turneu tradicional kushtuar legjendës “Lah Nimani”, i paraparë për t’u zhvilluar më 19 dhe 20 shtator, është anuluar, njofton Insajderi.

Kjo për shkak të situatës me Covid 19 në Kosovë, ndërsa instucionet shtetërore nuk i kanë dhënë leje federatës për organizmin e këtij turneu ndërkombëtar. Kjo e ka shtyrë federatën kosovare t’i njoftojë shtetet që planifikonin pjesëmarrjen me anulimin.

Federata e Boksit të Kosovës, përkundër përgatitjeve me kohë të organizimit të turneut ndërkombëtar “Lah Nimani”, i cili është paraparë të mbahej me 19-20 shtator në Prishtinë, anulon turneun për kohë të pacaktuar.

FBoxK ka bërë kërkesë më 31 gusht 2020 në Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, për të marrë lejen e organizimit të turneut, gjithnjë duke zbatuar me përpikëri protokollet përkatëse të dala nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar Shëndetësor (IKSHPK), në lidhje me pandeminë Covid 19.

Përkundër pritjeve dhe kontakteve të vazhdueshme, MKRS nuk ishte në gjendje të na garantonte lejen, duke hedhur përgjegjësinë në MSH dhe IKSHPK, për çka detyrohemi për herë të tretë të mos e mbajmë turneun ndërkombëtar “Lah Nimani”.

FBoxK konsideron se IKSHPK dhe MSH janë përgjegjëse për dhënien e masave mbrojtëse ndaj Covid 19, ndërsa MKRS në konsultim me Komitetin Olimpik të Kosovës, duhet të marrin vendimin për zhvillimin e aktiviteteve sportive.

FBoxK ka njoftuar sot edhe shtetet si Bullgaria, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, të cilat i falënderon për gatishmërinë për të qenë pjesëmarrëse e turneut.

“Ky turne ka qenë i mirëseardhur për boksierët cilësorë të rinjë (youth) dhe senior (men’s) të cilët do të marrin pjesë në kampionatet Europiane U18 në Mal të Zi dhe U22 në Itali muajin nëntor.

Duhet cekur se në Evropë e në rajon janë duke u zhvilluar garat në boks dhe shpresojmë se edhe ne në Kosovë të fillojmë me aktivitetet sipas kalendarit të garave të FboxK dhe kalendarin e garave të dalura nga federata Europiane EUBC dhe federata botërore AIBA”, shkruhet në njoftimin e FBoxK./Insajderi.com.