“Argument” – Raporti i Bankës Botërore për varfërinë, ekspertët diskutojnë skenarët e ndryshëm

“Argument” – Raporti i Bankës Botërore për varfërinë, ekspertët diskutojnë skenarët e ndryshëm

Në “Argument” mbrëmjen e sotme me gazetarin Enio Civici është diskutuar mbi krizën ekonomike që po shkakton COVID-19.

Teksa aktorët politikë së fundmi kanë replikuar mbi një raport të publikuar nga SCAN të Bankës Botërore që parashikonte skenare të impaktit të fortë që COVID-19 do të linte në ekonominë tonë, ku në rastin më të keq do të arrinte në nivelin e vitit 2012, në studio ishin të ftuar ekonomistë dhe ekspertë për të shpjeguar kontekstin e këtij publikimi.

Sherefedin Shehu në fjalën e tij është shprehur se skenari do të ndodhë dhe se i gjithë zinxhiri e efekteve ka të bëjë me uljen ekonomike:

“Është skenar që do të ndodhë, por përmasat mund të jenë të diskutueshme. Megjithatë ne kemi disa parashikime të hershme të gjitha institucioneve ndërkombëtare sa i përket rritjes ekonomike, që është çelësi i të gjithë këtyre treguesve të theksuara edhe nga Banka Botërore.

Shqipëria do të ketë një ulje ekonomike ose recension që pritet deri në -5%. Pra, po të kemi këtë ritëm do ketë pasoja, ku së pari do të prekë punësimin dhe më pas vazhdon zinxhiri i efekteve që kanë të bëjnë me mirëqënien dhe rënien e të ardhurave për frymë.

Arben Malaj ka shprehur mendimin se raporti është periodic dhe si I tillë duhet të merret parasysh vërtetësia e tij. Skema e kohezionit social për të mbrojtur shtresat më në nevojë duhet të jetë prioritet I qeverisë sipas tij:

“Ky raport është periodik dhe është një nga instrumentat me të cilat Banka Botërore ndihmon vendet e Ballkanit. Ne si ekonomistë e kemi të vështirë të llogarisim përmasat, pasi varet nga kohëzgjatja dhe se sa në valën e parë ajo i ka shtrirë metastazat e saj në ekonominë shqiptare.

Problemi më i madh duhet të jetë kohezioni i problemit social. Në çdo vend do të ketë rritje të papunësisë dhe varfërisë. Besoj që në varësi të dëmit në shkallën e ekonomisë dhe në formën që do veprojë kriza, në trajtën V, U apo në trajtën e L. Ka shumë njerëz që besojnë te skenari optimist i rikthimi të ekonomisë në skenarin V, pra një ulje e fortë fillimisht dhe pastaj ngritje e menjëhershme. Ajo që duhet të na shqetësojë janë paketat fiskale dhe që shkalla e implementimit e tyre është e vogël. Nuk janë masat fiskale që do të zgjidhin problemet e tanishem të ekonomisë. Fushata e donacioneve u quajt sukses, por vënia në dispozicon e fondeve është ende e ngadaltë. Këto para që do rritnin kërkesën agregate në ekonomi, nuk janë funksionale dhe në këtë mënyrë me problem të tjera si këto rritja ekonomike do të jetë edhe  më e vështirë. Duhet të funksionojnë shumë mirë edhe skemat e kohezionit social që askush të mos ndihet i braktisur.”

Ermal Hasimja është shprehur se situata shprehet më e vështirë dhe disa problematika janë të paidentifikueshme.

“Kam përshtypjen se edhe pa raport gjendja është ajo që u parashtrua edhe më parë. Problemet aty janë, edhe pse një pjesë e tyre nuk mund të parashikohen për të ardhmen. Ka disa probleme që nuk varen aspak nga ne, pasi lidhen me kontekstin ekonomik në botë.

Një shembull është se një pjesë e mirë e problemit ekonomik në Shqipëri ka lidhje me vende si Italia apo Greqia, ku në sektorin e fasonëve kjo është e ndjeshme pasi kontratat e këtij sektori kanë qenë me këto vende. Gjithashtu është konteksti i pasigurisë. Nga ana tjetër është edhe çështje e vendimmarrjes politike. Problemin në trupin e njeriut nuk e shkakton virusi, por reagimi i trupit ndaj virusit. Qeveri të ndryshme kanë pasur të njëjtin reagim, se mbyllja e fortë e ekonomisë në njëfarë mënyre ka shkaktuar një reagim që nuk ka nevojë të ishte kaq i madh. ”

SCAN

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.