“Argument” – Turizmi, sektori më i rëndësishëm në ekonomi, ekspertët: “I harruar nga shteti dhe forcat politike. 2021 i zymtë”

“Argument” – Turizmi, sektori më i rëndësishëm në ekonomi, ekspertët: “I harruar nga shteti dhe forcat politike. 2021 i zymtë”

Në emisionin “Argument” mbrëmjen e sotme ështe përfolur për sektorin e turizmit si një nga me të rëndësishmit në ekonominë shqiptare. Në 2020-ën ky sektor pësoi një goditje të fortë dhe në 2021 situata paraqitet ende e zymtë dhe e paqartë. Të ftuar në studio për të diskutuar rreth kësaj teme ishin Zak Topuzi, Besnik Vathi dhe Kliton Gërxhani.

Z.Topuzi është shprehur se viti në vijim do të jetë i vështirë për këtë sektor nga panorama që paraqitet në sfond.

“Do jetë vit i vështire nga panorama në sfond. Variantet e reja të Covid sërish kanë ngjallur shqetësim. Europa si përfaqësues kryesor i turizmit në Shqipëri ka mbyllur kufijtë për lëvizjet. Ndikon edhe në daljen e valutës jashte, parashikon një sezon më të vështirë edhe se ajo e 2020. Është industria më e prekur dhe me e pastimuluar.”

Sipas Z.Topuzi politika po qëndron larg kësaj industrie për të mos i hyrë me themel problemeve të saj, pasi në këtë mënyrë do të përballet me një situatë shumë të vështirë:

“Politika po rri larg kësaj industrie dhe po ta prekësh atë mund të hapë shumë probleme. Shqipëria është në renditjen e 10 vendeve në Europë, e dyta në ndikimin që turizmi ka në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Në një studim për Ballkanin Perëndimor për tre vitet e fundit, Shqipëria doli se ishte më e goditura në rajon, duke krahasuar dhe masat apo paketat stimuluese që u morën në kohë pandemie.”

Nga krahu tjetër z.Vathi është shprehur se situata është bërë më e vështirë dhe se Shqipëria ka nevojë urgjente për turistët e huaj, pasi turizmi i brendshëm nuk e mban dot gjallë këtë sektor:

“Situata nuk ka ndryshuar por është bërë më e vështirë. Ka një dritë në fund te tunelit, por akoma nuk e dimë sa kohë do të duhet, për tu kthyer apo për të filluar në një situatë jornormaliteti. Sa për turizmin, ai i brendshëm nuk është se ka pasur dhe ka vështirësi. Vazhdimisht ka qarkulluar, por ne periudha sezonale dhe të shkurtra. Nëse ne flasim për Korçën kjo ndodh vetëm në fundjavë, por kjo nuk mjafton për një hotel me 40 dhoma. Ai që siguron vazhdimësi është ai i huaj që garanton jo vetëm lëvizjet ne qytet. Por në 2021 as nuk bëhet fjalë për turistët e huaj, pasi shumë vende kufijtë i kanë të mbyllur dhe avionët në shumicën e tyre i kanë anuluar fluturimet. ” 

Ndërkohë Kliton Gërxhani, përfaqësues i Agjensive Tour-Operatore e ka përshkruajtur edhe më të zymtë situatën. Sipas tij, investime në sektorin e turizmit do të mungojnë pasi ato ruhen për qëllime dhe interesa të tjera që përkojnë edhe me zgjedhjet e ardhshme elektorale.

“Po flasim për një industri që është ngritur prej 20 viteve, një fabrikë e madhe gjigande që kërkon te mbushet dhe që pret fluks të konsiderushëm .Sivjet duhet të shohim edhe formatin e turizmit në raport edhe me sektorët e tjerë të vendit. Turistët ishin vetëm kosovarë, ndërsa politikanët nuk donin të dëgjonin dhe në sektorin tonë ka nevojë për investime. Në turizëm dyshoj se do ketë stimulime të ardhshme, por paratë janë ruajtur për investime të tjera elektorale dhe që i përkojnë interesave të caktuara. Ato fonde që duheshin dhënë sektorit tonë riktheheshin në ekonomi ndërsa paratë e shpenzuara për rrugët që çahen i merr shiu dhe nuk kanë vlerë të shtuar. Ajo që ndjejmë është se politika përtej ngjyrave nuk kërkon të na marrë mendim se si do ta rimëkëmbim këtë sektor.”

Gjithashtu z.Gërxhani ka theksuar se goditja në këtë sektor është e fortë edhe në punësimin e njerëzve:

“Është goditje e madhe dhe në punësim. Sepse edhe sikur te marrim mbështetje kemi shumë punonjës të humbur çdo dite e më shumë dhe është e vështirë ti rikthesh dhe të fillosh nga zero. Kapacitetet njerëzore ne këto 20 vite janë ata që prodhojnë këtë volum të ardhurash. Disa kanë ikur, emigruar apo filluar ne një vend tjetër, gjithmonë e më pak kanë ngelur mendje te kualifikuara. Për mendimin tim kushdo që merr pushtetin mbas 2021 do jetë shumë e vështirë bashkë me ne.”

SCAN

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.