Arti e libri rikthejnë fëmijët në bibliotekën e dikurshme

Arti e libri rikthejnë fëmijët në bibliotekën e dikurshme

Shpjegimi i parë që i bëhet asaj që ka marrë emrin Qendra për Praktikë Rrëfyese është se ajo është hapësirë për rrëfimtari. Dikur ka qenë biblioteka “Hivzi Sulejmani” në lagjen “Tophane” një adresë e përditshme e fëmijëve të lagjes dhe jo vetëm.

E mbyllur para gjysmë dekade, Bienalja Nomade Evropiane ia ka rihapur dyert me një pamje tjetër pas restaurimit. E aty i ka rikthyer edhe fëmijët. Arti e libri kanë qenë ato që i kanë bërë bashkë pasditen e së shtunës. Artisti Jakup Ferri e shkrimtarët Xhevat Syla e Arbër Selmani kanë qenë aty për të vizatuar e bashkëbiseduar me ta.

E kanë nisur aktivitetin me Ferrin, artistin i cili me “Monumentalitetin e përditshmërisë” përfaqëson Kosovën në edicionin e 59-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecie, përderisa veprat e tij zënë vend edhe në hotelin “Grand” në kuadër të “Manifesta 14”. Me të janë futur në botën e personazheve të tyre të preferuar. Duart e vogla të secilit prej fëmijëve pjesëmarrës po linin gjurmë në sipërfaqe të bardha me një llojllojshmëri të ngjyrave. Ferri ka qenë aty sa për t’i orientuar në shpalosje imagjinate nëpërmjet ngjyrave.

E shkrimtari i njohur për fëmijë, Xhevat Syla, bashkë me Arbër Selmanin e kanë bërë këtë nëpërmjet librave. Fëmijët në këtë aktivitet kanë pasur mundësi që të bisedonin me të dy autorët. Nuk ngurruan t’u drejtonin pyetje të ndryshme për të shkruarit e për veprat e tyre.

Një ambient e organizim të tillë i ka konsideruar motivuese edhe vetë autori i shumë librave për fëmijë, si “Vel vjeshte”, “Syri i pranverës”, “Vjershë e humbur”dhe shumë të tjerë.

“Ishin shumë mbresëlënëse pyetjet që fëmijët m’i drejtuan. Ishin pyetje shumë interesante dhe përmbajtjesore. Pyetje që flasin për fëmijë, të cilët kanë marrë rrugën e dijes, fëmijë që mësojnë dhe që kanë ambicie të mësojnë gjithnjë e më shumë. Prandaj pyetjet e tilla dhe interesante mbeten të paharrueshme. Pyetjet e tilla të motivojnë edhe më shumë edhe në krijimtarinë letrare për fëmijë, të cilën unë e konsideroj vokacion”, ka thënë Syla, njëherësh udhëheqës i karvanit të njohur të shkrimtarëve për fëmijë “Agim Deva”. Syla para fëmijëve ka folur për poezinë dhe vargun, përderisa në këtë organizim bashkë me fëmijët e çmuan shumë librin. Ka folur për rëndësinë e librit që, sipas tij, është i pazëvendësueshëm me teknologjinë e re.

E se bienalja “Manifesta 14” është një organizim i mirë, që u jep hapësirë veprave të tilla artistike dhe grupeve të ndryshme shoqërore, e ka pohuar edhe Syla.

“Mendoj se është një rast i mirë. Është një orientim i mirë i organizatorëve që të përfshijnë sa më shumë shtresa të njerëzve. Fëmijët janë shumë të rëndësishëm në këtë plan. Prandaj, duke konsideruar dhe çmuar shumë të gjithë organizimin që po mbahet këto ditë, unë me shumë kënaqësi pranova që të jem pjesë e këtij organizimi”, ka thënë ai për KOHËN.

Edhe organizatorët e këtij aktiviteti e çmojnë pjesëmarrjen e fëmijëve në një ngjarje të tillë. Ata e konsiderojnë të rëndësisë të veçantë bashkëpunimin me këta artistë e shkrimtarë dhe qasjen e fëmijëve në botën e artit e të kulturës.

“Qëllimi i bibliotekës për fëmijë apo oazës është që me anë të punëtorive të ngjallin temat që gjithashtu gjenden në librat që i kemi këtu prezent. Është një bibliotekë në të cilën angazhohen edhe fëmijët. Nuk është një bibliotekë pasive, që vjen e merr një libër, e lexon në shtëpi dhe pastaj e kthen”, ka thënë Rina Gosalci, menaxhere e projekteve të edukimit në “Manifesta 14”.

Ajo ka thënë se organizimet me “Manifestan” kanë për qëllim që vendet e tilla, si biblioteka “Hivzi Sulejmani”, t’i rikthejnë në funksion. Qëllimi i tyre, sipas Gosalcit, lidhet ngushtë me urbanizimin dhe arkitekturën, përveç anës kulturore.

“Programet që ne i bëjmë me fëmijë kanë të bëjnë me eksplorim të lagjeve të tyre, të objekteve të harruara, që si qëllim është të fillojmë ta vlerësojmë kulturën që ne e kemi dhe jo domosdoshmërisht të krijojmë diçka të re, por ato që janë mos me u harru, por të vlerësohen dhe të fillohen të njihen”, ka thënë ajo.

Ata që më së shumti u kënaqën, duke i kënaqur edhe të tjerët, ishin fëmijët.

“Unë mendoj se ky organizim është shumë i mirë sepse po i lejon fëmijët me vizatu çfarëdo sendi, që me e zhvillu imagjinatën”, ka thënë Eri Gashi, nga grupi i fëmijëve pjesëmarrës.

Edhe prindërit e secilit nga fëmijët e kanë çmuar përfshirjen e fëmijëve në këtë organizim

“’Manifestan’ unë e vlerësoj shumë. Vikendin e kaluar e kemi kaluar në ‘Grand’, duke e vizituar ekspozitat e shumta në gjashtë kate. Sot po e kalojmë këtu. Mendoj se Prishtinës i është dashur shumë një aktivitet i tillë”, ka thënë Eliza Mazrekaj, e cila ishte prindi i dy fëmijëve që këtë organizim po e shijonin shumë.

Pas aktivitetit disaorësh, ambientet e ish-bibliotekës “Hivzi Sulejmani” qenë të rrethuara me vepra shumëngjyrëshe të realizuara prej fëmijëve gjatë ditës që kaluan aty. Në sirtarët e hapësirës ku janë librat për fëmijë, në një ambient i cili e ruan identitetin e kahershëm të ish-bibliotekës, u gjendën në fund të ditës edhe vepra të reja, të cilat i shtuan autorët e pranishëm.

Objekti i bibliotekës së dikurshme “Hivzi Sylejmani” i përket stilit austro-hungarez dhe u ndërtua në vitin 1930, për t’u shfrytëzuar si bibliotekë e Komunës së Prishtinës prej viteve ‘40. Tash, ajo u bë një hapësirë qendrore e programit artistik të Bienales dhe shtëpi e oazës e hapësirë për programin e edukimit të “Manifesta 14”.