Avdyli i del në mbrojtje Gërvallës, thotë se deklarata e saj e moçme për Specialen është nxjerrë nga konteksti

Avdyli i del në mbrojtje Gërvallës, thotë se deklarata e saj e moçme për Specialen është nxjerrë nga konteksti – Lajmet e fundit



Reagime të shumta erdhën ndaj kryediplomatës së Kosovës Donika Gërvalla, pas një deklarate që kishte bërë në vitin 2017, ku thoshte se do të dërgonte materiale në Hagë, për ta ndihmuar Gjykatën Speciale, sapo ajo të formohej.

Ndërkaq deputeti i LVV-së, Haxhi Avdyli i ka dalë në mbrojtje asaj duke thënë se kjo deklaratë është nxjerrë nga konteksti dhe është bërë në rrethana tjera.

“Eksponentë të politikës e parapolitikës ,e shërbëtorë të pushteteve të kaluara ,dje gjatë tërë ditës i bënë gjyqin publik, Zv KM dhe Ministres së PJ z.Donika Gërvalla, për një deklaratë të vjetër, të shkëputur, e nxjerrur nga konteksti dhe e thënë në rrethana krejt tjera. Ky gjyq publik më kujton regjimet e vjetra diktatoriale ku pasi identifikohej armiku popullit, dënohej pa gjyq që të diciplinoheshin masat popullore”, thotë Avdyli, transmeton Zeri.info.

Sipas deputetit Avdyli, opozita po tenton që të godas objektivin më të lehtë të një politikane të re femër.

“Meqë këtyre eksponenteve nuk po ia mban të gjejnë armik te bashkësia ndërkombetare e liderët e atëhershem politik që bënin luftë me partitë e tyre për miratimin e gjykates speciale, po tentohet të gjindet objektivi me i lehtë një politikane të re femër, e cila çdo gjë la nga jeta saj në Gjermani për t’i shërbyer Kosovës. Dhe ardhja saj në Kosovë ka ndodhur në vitin 2021, jo në vitin 2015 kur u miratuan Dhomat e Specializuara. Kjo i bie që kur s’ke çka i bënë gomarit i bie samarit”, thotë ai përmes një postimi në Facebook.

Tutje ai kujton se qeveria e atëhershme kishte votuar Gjykatën Speciale me arsyetim që të pastrohej lufta e drejtë çlirimtare, derisa LVV-ja nuk e kishte votuar dhe sipas Avdylit, ata janë quajtur tradhtarë.

“Prandaj opinionit duhet t’i servohet e vërteta, të gjitha veprimet e deklaratat e viteve 2014 e 2015 të liderëve të atehershëm, kur natë e ditë e arsyetonin formimin e Gjykatës speciale. Atëherë na thonin që Kosova rrezikohej nëse nuk formohet kjo gjykatë, se me të do pastrohet lufta e drejtë çlirimtare. Atëherë, por jo tani, ata deputetë që s’votuan Gjykatën Speciale quheshin tradhëtarë, rrezikues të shtetësisë të Kosovës. Prandaj merruni me thelbin çështjes e ndodhur me 2015 e jo me deklaratat jashtë kontekstit kohor, me qëllim frikësimi e gjykimi publik, se kjo qasje është e padrejtë por edhe nuk iu shitet tash në vitin 2021. Drejtësia dhe e vërteta është një”, thotë deputeti Avdyli.

“Ska dy të vërteta edhe ajo e 2015 dhe kjo e 2021, por ka njerëz që manipulojnë me të vërtetën”, përfundoi deputeti i LVV-së. /Zëri