Balaj-Halimaj: Marrëveshja në Washington ka qenë e njëjtë si të enjten ashtu edhe të premten

Balaj-Halimaj: Marrëveshja në Washington ka qenë e njëjtë si të enjten ashtu edhe të premten – Lajmet e fundit



Zëvendëskryeministjra e Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj ka thënë se ka qenë në komunikim të vazhdueshëm më kreun e partisë së saj, Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj gjatë kohës sa ishte pjesë e delegacionit të Kosovës në Washington.

“Secili subjekt politik, sidomos subjektet politike që janë në koalicion, kanë pas përgjegjësi për këtë, prandaj ka qenë komunikim i vazhdueshëm me partinë. Ne duhej ta vendosnim një qëndrim të përbashkët për marrëveshjen në tërësi, por edhe për pikat në veçanti”, tha ajo.

Po ashtu ajo thotë se qëndrimi i partisë Nisma Socialdemokrate atje ka qenë se marrëveshja ishte e mirë dhe e kanë mbështetur plotësisht.

“Marrëveshja ka qenë e njëjtë si të enjten ashtu edhe të premten, prandaj ne kemi qenë në një linjë dhe e kemi mbështetur plotësisht këtë marrëveshje e cila konsiderohet si një nga marrëveshjet më të rëndësishme për Kosovën. Kemi diskutuar gjithçka. Çdo pikë veç e veç dhe çdo fjalë që ka qenë e shkruar aty e kemi diskutuar bashkë me delegacionin dhe kemi qenë të gjithë në rregull. Ne kemi qenë të një mendimi, pastaj ka ndodhur çfarë ka ndodhur, duhet t’i pyesni ministrat e AAK-së. Ne ishim në një linjë, sepse gjithçka që diskutonim ose donim ta ndryshonim, heqnim ose ta vendosnim e bënim gjithë delegacioni bashkë”, potencoi Balaj-Halimaj për Klan Kosova.

Por, si i sheh ajo vërejtjet e opozitës karshi marrëveshjes që Kosova dhe Serbia nënshkruan me SHBA-në në Shtëpinë e Bardhë?

“Opozita e ka një rol për të kritikuar, por nuk është mirë të kritikosh diçka që e kupton mirë se çfarë në fakt është. Është një marrëveshje që është vërtetë e mirë për Kosovën. Janë projekte që Kosova vetëm nuk do t’i mund t’i realizonte edhe për shumë vite, dhe normalisht pa mbështetjen e SHBA-së nuk do të mund t’i arrinim”.

“Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar tek pika e Ujmanit. Është një studim fizibiliteti që do të bëhet nga Departamenti i Shtetit Amerikan dhe nuk ka pasë asgjë për shqetësim më 3 dhe 4 shtator dhe nuk ka as tash. Është çështje e opozitës se si i qaset marrëveshjes të tillë. Ndoshta një pjesë e opozitës, sepse nuk po flas për gjithë opozitën, ka pritur thika mbi harta dhe kur nuk i kanë dalë ato ndoshta kanë dashur të kapen në një pikë për të manipuluar me qytetarët”, deklaroi zëvendëskryeministrja Albulena Balaj-Halimaj.