“Balkan Bordello” nis turneun ballkanik si më e mira në Nish

“Balkan Bordello” nis turneun ballkanik si më e mira në Nish

Gjatë turneut që “Balkan Bordello” po bën nëpër Gadishullin Ballkanit, shfaqja u shpërblye si më e mira në “Nisville Jazz Theater Festival”. Shfaqja që sonte është dhënë në “Ohrid Summer Festival” do të vazhdojë në “Kotor Art International Festival” më 12 gusht dhe “Wild Beauty Art” në Zhabljak më 13 gusht.

Në vlerësimin që juria e këtij festivali ia ka bërë “Balkan Bordello” thuhet se shfaqja, ndër të tjera, tregon historinë e Ballkanit, vendin ku luftërat kanë lënë shumë pasoja.

“Kjo shfaqje e bazuar në trilogjinë “Orestia” të Eskilit, në dramaturgjinë e vet mbërthen edhe momentumin bashkëkohor të historisë së Evropës, sidomos atë të Ballkanit ku luftërat e fundit kanë lënë shumë pasoja”, ka vlerësuar juria. Sipas vlerësimit, shfaqja përfaqëson një punë të jashtëzakonshme të artistëve të cilët arrijnë jo vetëm të rrëfejnë tregimin, por edhe të na ftojnë thellë brenda botës së përplasjeve ndërmjet prindërve dhe fëmijëve, burrave dhe grave, të shenjtëve dhe njerëzve të zakonshëm, Lindjes dhe Perëndimit. “Të gjitha elementet e produksionit janë të mirë-balancuara dhe udhëhiqen nga një aktrim briliant e i sinqertë”, ka vlerësuar juria shfaqjen që në Nish është dhënë të hënën.

Ndarja e këtij çmimi, i cili vjen nga një qytet i Serbisë, është shumë i rëndësishëm për autorët dhe gjithë stafin e “Ballkan Bordello”. Sipas dramaturgut Jeton Nezirajt, ky çmim është edhe motivim dhe dëshmi e një pune të madhe të bërë nga i gjithë ekipi.

“Çmimet janë natyrisht të rëndësishme, na motivojnë për punë. Por ky çmim ka edhe më tepër vlerë, sepse disi edhe e shpërblejnë mundin e një produksioni të jashtëzakonshëm teatror, të madh, si ndërmarrje teatrore dhe të rëndësishëm për nga përmbajtja e ato që i kumtohen publikut”, ka thënë Neziraj si autor i tekstit.

Juria e “Nisville Jazz Theater Festival” përbëhej nga Jocelyn Pook, Natasha Gvozdenoviq dhe Igor Buriq. Shpërblimi i “Balkan Bordello” nga një juri e tillë, profesionale, sipas Nezirajt, ia shton edhe më shumë vlerën këtij çmimi.

“Kishte një juri kredibile që na e dha çmimin, duke përfshirë edhe Jocelyn Pook, që ishte kryetare e jurisë. Ajo, si kompozitore, ndër të tjera, ka punuar edhe me Kubrikun në filmin “Eyes Wide Shut” dhe në filma të tjerë të rëndësishëm. Dhe çmimi jepet nga një festival teatri në Serbi”, ka shpjeguar Neziraj

E bazuar në trilogjinë “Orestia” të Eskilit, drama vjen në një frymë krejt bashkëkohore. Është e “kriposur” me detaje e ngjarje, që banorët e Ballkanit i njohin mirë. Bile, një pjesë i kanë përjetuar. Por ato janë modifikuar që të marrin kuptim më gjeneral. Kafehania e dekoruar për tmerr, në kohë lufte për klientë, ka njerëz, që frikën e kanë konstante. Midis tyre edhe poetë, që ua ha mendja, që vlejnë më shumë se mijëra ushtarë.

Nën regjinë e Blerta Rrustemi-Nezirajt, shfaqja luhet nga kasta ndërkombëtarë si: Onni Johnsonit, Svetozar Cvetkoviqit, George Drancet, Eugene the Poogene, Valois Mickens, John Maria Gutierrez, Mattie Barber-Bockelman, Ivan Mihailoviq, Matt Nasser, si dhe Verona Koxha.

“Pritja, nga publiku në Nish, më duhet ta them, ishte e jashtëzakonshme. Por edhe mikpritja e organizatorit”, ka treguar Jeton Neziraj.

Por pavarësisht çmimeve, vetë shfaqja e kësaj drame nëpër teatro të ndryshme të vendeve të rajonit është shumë e rëndësishme. Sipas Nezirajt, “Balkan Bordello” është një shfaqje kundër luftës dhe me një ngjarje më aktuale se kurrë, prandaj është e rëndësishme që ajo të shfaqet jo vetëm në vendet ballkanike, por edhe përtej.

Shfaqja “Balkan Bordello” u dha si premierë në Prishtinë më 3 nëntor, 2021. Ajo është prodhuar nga teatri prestigjioz i Nju Jorkut “La MaMa” (SHBA) në bashkëpunim me Qendrën Multimedia (Kosovë), Atelje 212 (Serbi) dhe My Balkans (SHBA/Serbi).

Pesë muaj pas premierës botërore në Prishtinë, më 31 mars të po atij vitit, “Balkan Bordello” u shfaq edhe në SHBA, në teatrin prestigjioz “La MaMa” të New York ut.