“Ballkani i Hapur”, Gërvalla në Selanik: Kosova nuk kërkon struktura konkurruese ndaj BE-së

“Ballkani i Hapur”, Gërvalla në Selanik: Kosova nuk kërkon struktura konkurruese ndaj BE-së – Lajmet e fundit



Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se Kosova është e vendosur në rrugën e saj drejt BE-së dhe nuk është në kërkim të strukturave konkurruese, siç e ka quajtur idenë e “Ballkanit të Hapur”.

Sipas kryediplomates kosovare, ideja e “Ballkanit të Hapur” perceptohet në të gjithë BE-në si një koncept konkurrues ndaj BE-së, për çka tha se Kosova nuk është në kërkim të strukturave të tilla, transmeton Zeri.info.

Gërvalla këto i tha në Selanik të Greqisë, ku po merr pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm dhe për Çështje Evropiane të Ballkanit Perëndimor, nën organizimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë.

Temë bosht e këtij takimi është dialogu i vendeve të Ballkanit Perëndimor për të ardhmen evropiane.

Në fjalën e saj gjatë këtij takimi, Gërvalla shprehu mirënjohje ndaj Greqisë për qasjen strategjike dhe gatishmërinë për të investuar në bashkëpunimin gjithëpërfshirës rajonal, si dhe në avokimin për nevojën e përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Ne me të vërtetë konsiderojmë se ky rol aktiv dhe kontribut është i vlefshëm jo vetëm për bashkëpunimin rajonal, por edhe për paqen dhe stabilitetin në Ballkan”, shtoi Gërvalla.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, teksa foli për çështje rajonale, përmendi rëndësinë e bashkëpunimit duke ju referuar Procesit të Berlinit si platformë për bashkëpunim rajonal në lidhje me BE-në, e cila u theksua edhe gjatë takimit të së martës në Tiranë me kancelaren gjermane Angela Merkel.

“Ne duhet të mbajmë një qëndrim proaktiv dhe pro BE-së. Ne duhet t’i marrim shumë seriozisht këto diskutime themelore për të ardhmen e Evropës, të cilat po ndodhin tani. Dhe sa i përket vendit tim, ne nuk do të ndryshojmë drejtimin drejt BE-së, nuk do të kërkojmë struktura konkurrues”, shtoi ajo. /Zëri