Vendim për banesat me kosto të ulët - Përcaktohen kategoritë e familjeve që perfitojnë fondin me përparësi nga bashkitë

Banesat me kosto të ulët – Qeveria vendos kuotat tavan e mënyrën si do përllogaritet çmimi për blerësit

Këshilli i Ministrave ka përcaktuar metodologjinë e përllogaritjes së çmimeve të banesave që do blihen nga shteti për t’ua shitur qytetarëve që përfitojnë nga programet e strehimi social. Çmimi tavan për këto banesa do të jetë kostoja e ndërtimit sipas vlerave të referencës që përllogarit çdo vit Enti Kombëtar i Banesave.

Në çmimin e shitjes së banesës me kosto të ulët që është blerë në treg përfshihen, elementët si më poshtë: së pari, vlera e apartamentit të blerë sipas kontratës së shitblerjes; së dyti, shpenzimet noteriale, ato të regjistrimit të pronës dhe pagesa e taksave dhe e tatimeve, sipas rastit; dhe së treti, shpenzime administrative, të cilat, në rastin e Entit Kombëtar të Banesave janë 4% e vlerës së apartamentit të blerë,

ndërsa në rastin e njësive të vetëqeverisjes vendore miratohen me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore.

Në rastin kur banesat me kosto të ulët janë siguruar përmes ndërtimit, në përllogaritjen e çmimit të shitjes së tyre përfshihen, si më poshtë vijon: së pari kostoja e ndërtimit të banesës ku përfshihen vlera e investuar për ndërtimin e saj, kostot për mbikëqyrjen dhe për kolaudimin, kostot e projektit, kostot e marrjes së lejeve përkatëse për ndërtim; së dyti çmimi i truallit, i cili përcaktohet sipas vendimit të qeverisë për efekt kompensimi të pronave; së treti, shpenzimet e regjistrimit për kalimin e së drejtës së pronësisë në favor të përfituesit në

Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, shpenzimet noteriale dhe çdo shpenzim i kryer për pagesën e taksave dhe tatimeve; dhe së katërti, shpenzimet administrative, të cilat, në rastin e objekteve të ndërtuara nga Enti Kombëtar i Banesave llogariten 4% e kostos së ndërtimit.

Me qëllim arritjen e nivelit të kësteve të përballueshme, për familjet me të ardhura të ulëta e shumë të ulëta, këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore, në përputhje me kuadrin ligjor për sistemin e taksave vendore, mund të vendosë uljen ose përjashtimin e kategorive të caktuara nga pagesa e çmimit të truallit, pronë shtetërore, mbi të cilin është ndërtuar

banesa me kosto të ulët dhe/ose e taksave e tarifave që janë kompetencë e këshillit të vetëqeverisjes vendore.

Lorenc Rabeta / SCAN

 

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.