Baraliu: Nga takimi në Washington pres të ketë një marrëveshje kornizë për çështje ekonomike

Baraliu: Nga takimi në Washington pres të ketë një marrëveshje kornizë për çështje ekonomike – Lajmet e fundit


Foto: Laura Hasani


Image

Bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë janë intensifikuar kohëve të fundit, krejt kjo pas heqjes së barrierave tregtare, ku vendi ynë ia kishte vendosur vendit fqinj.

Teksa bisedimet në mes të dy vendeve rinisën në Bruksel, në këtë proces u inkuadrua edhe SHBA-ja fuqishëm, duke ftuar delegacionet e dy vendeve për një takim më 27 qershor. Pjesë e delegacionit të Kosovës ishte dhe presidenti i vendit Hashim Thaçi, por derisa ky ishte nisur për në Washington Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë ia dërguan atij një ftesë për intervistim.

Kjo bëri që takimi i 27 qershorit të anulohej.

Tentativa e dytë po duket të jetë e suksesshme, së paku për sa i përket mbajtjes së takimit, rezultat i të cilit pritet të jetë një marrëveshje, që është thënë se do të jetë ekonomike.

Për këtë çështje në një intervistë për “Zërin” është deklaruar njohësi i çështjeve politike, si dhe profesori universitar Mazllum Baraliu, duke folur në detaje rreth këtij takimi, por edhe për takimet e tjera që janë planifikuar të ndodhin gjatë muajt shtator.

Baraliu thotë se është shumë e dëshirueshme një marrëveshje finale dhe gjithëpërfshirëse mes dy vendeve, porse, sipas tij, është mirë që po bisedohet për çështje ekonomike në këtë kohë në Washington.

“Realisht është tepër vështirë të pritet një marrëveshje me rezultat njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, sepse Serbia nuk ka as vullnetin e as interesimin për të bërë një gjë të tillë”, ka theksuar ai.

Zëri: Z. Baraliu, janë shpeshtuar takimet Kosovë – Serbi. Pas takimit të 4 shtatorit në Washington, një takim tjetër i nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë pritet të mbahet më 7 shtator në Bruksel. Çka pritet të arrihet në Washington e çka në Bruksel?

Baraliu: Është shumë e dëshirueshme një marrëveshje finale dhe gjithëpërfshirëse siç është paralajmëruar me vite të tëra në mes të Prishtinës dhe Beogradit dhe është mirë që pas 18 muajsh ndërprerje dhe qasje të gabuar të zyrtarëve të Bashkimit Evropian, atyre të politikës së jashtme në lidhje me marrëdhëniet, negociatat në mes të Kosovës dhe Serbisë, që tani me intensivitetin që ka treguar Washingtoni për ta dinamizuar në një masë kontaktin, qoftë edhe përmes takimeve që flisnin për çështje ekonomike, është mirë që nesër në Washington do të fillohet me biseda kryesisht me biseda ekonomike. Nuk është sa duhet transparente çështja, nuk kemi pasur një agjendë të qartë nga përfaqësuesit tanë atje, pavarësisht faktit që dje-pardje nga këshilltari special i presidentit Trump është thënë se mund të ketë në tavolinë edhe çështje të tjera. Takimi në Washingtoni pritet të jetë i frytshëm dhe i dobishëm, më së miri do të ishte të bisedohet ekskluzivisht për çështjet të intensifikimit të projekteve ekonomike dhe marrëdhënieve ekonomike që ka nevojë Kosova më së shumti dhe pastaj të jepet një impuls dhe shtytje e takimit më 7 shtator në Bruksel dhe takimeve të tjera me BE-në, në mënyrë që në horizont të kemi një marrëveshje gjithëpërfshirëse, edhe politike.

Megjithatë, duke parë sjelljen e Beogradit dhe duke njohur sjelljen dhe historinë që kemi ne me Serbinë, është shumë vështirë dhe realisht tepër vështirë që të pritet një marrëveshje me rezultat njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, sepse Serbia nuk ka as vullnetin e as interesimin për të bërë një gjë të tillë. Krerët e Serbisë janë eksponentët më famëkeq të Serbisë së Millosheviqit, njëri i propagandës, ministër i propagandës, njeriu që do të jetë kryesori në tavolinë, njeriu që thotë se “pa marrë parasysh çfarë më thotë Trumpi, unë nuk e dëgjoj atë, që thotë së nuk do ta njohë Kosovën në asnjë mënyrë”. Ai haptas provokon Bashkësinë ndërkombëtare, edhe SHBA-në si qendra të rëndësishme vendimmarrëse dhe megjithëkëtë ata e pranojnë si partner serioz pa asnjë kusht, ndërkohë që Kosova shkon atje e dëmtuar për shkak të mosunitetit, por edhe si palë e pabarabartë, ndaj duhet të kemi shpresë për një rezultat të mirë të këtij takimi në Washington dhe pastaj impulsit të tij në Bruksel për të pasur edhe atje një ecuri të suksesshme të vazhdimit të bisedave për të arritur marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe juridikisht obligative.

Zëri: A besoni në një marrëveshje “të madhe” në mes të Kosovës dhe Serbisë. Nëse po, kur dhe çfarë do të përmbante ajo?

Baraliu: Mendoj se do të duhej të ishte parësisht një marrëveshje për çështje ekonomike, e cila do të lehtësonte punën që në Bruksel të diskutohen edhe temat politike dhe të dakordohen të dyja palët edhe për temat tjera politike, të cilat Serbia detyrimisht kërkon që t’i ketë në tryezë, ndërkohë që mendoj se qëndrimi i kryeministrit është pozitiv kur thotë se nuk mund të ketë tjetër ofertë në tavolinë, përveç kushtit të njohjes reciproke dhe stabilizimit të marrëdhënieve dhe jo si deri tani që prej 2011-s Kosova është trajtuar si shtet jo i barabartë. Pres të ketë një marrëveshje kornizë për çështje ekonomike.

Zëri: Po për grupin dialogues, a vlerësoni se në Washington kanë shkuar personat e duhur për të dialoguar me Serbinë?

Baraliu: Është vështirë të thuhet së dikush është i duhuri ose jo, por e rëndësishme është se as kjo qeverisje, e cila është qeveri minorance, që nuk ka legjitimitetin e plotë, po shkojmë atje ne si shtet dhe si Republikë të pakoordinuar, të paunifikuar, nuk arriti kjo qeverisje të ketë përkrahjen në delegacion dhe në biseda të dy partive opozitare dhe kjo e bën të brishtë këtë status dhe këtë delegacion. Duke shikuar në pikëpamje të legalitetit, është në rregull, sepse është në frymën e kushtetutës, ata i kanë zgjedhur njerëzit e tyre dhe këtu nuk mund të kontestohet edhe vullneti, edhe dëshira e tyre për njerëzit e duhur në vendin e duhur, por sidoqoftë po është i mangët ky përfaqësim si gjithherë deri më tani, duke përjashtuar kohën kur nuk kemi qenë shtet i pavarur, pra bisedat në Rambuje dhe në Vjenë, ne nuk po dëshmojmë që mund ta ndërtojmë një kohezion të përbashkët politik për çështje të rëndësishme dhe vitale nga karakteri dhe pesha për vendin dhe Republikën. Edhe kësaj radhe po shkojmë të pakompletuar atje.

Zëri: A do të duhej që edhe opozita të ishte pjesë e këtyre takimeve?

Baraliu: Domosdoshmërisht opozita për nga definicioni dhe për nga përgjegjësitë kushtetuese juridike që ka është institucion i shtetit, është pjesë e pandashme e përpjekjeve, përfaqësuese në politikën e jashtme. Kemi të bëjmë një çështje të rëndësishme, kemi të bëjmë me një marrëveshje, me një shtet i cili ka qasje armiqësore ndaj nesh, i cili është agresiv në planin e brendshëm dhe të jashtëm, bën shkelje të Kushtetutës, përmes obstruksioneve të ndryshme, përmes pengesave të Kosovës që të përfaqësohet jashtë, që të në aspektin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe në këtë aspekt do të duhej të ishim dukshëm më të organizuar, më të përgjegjshëm, fatkeqësisht kjo garniturë politike, që disa prej tyre qe 30 vjet, disa qe 20-21 vjet në skenën politike nuk po arrijnë të konsolidohen dhe ta vënë në plan të parë interesin shtetëror.

Zëri: A do të duhej paraprakisht Serbia t’i plotësonte disa parakushte për t’u ulur në tryezë, si pranimin e gjenocidit në Kosovë, çështjen e të zhdukurve, fondin pensional, dëmet e luftës etj.?

Baraliu: Patjetër, në çdo palë serioze në transaksionet diplomatike negociatat ndërkombëtare bilaterale në mes të shteteve që është serioze ose pretendon të mësojë nga gabimet e veta do të duhej të ishte e vetëdijshme, në këtë rast domosdoshmërisht Serbia, sepse ka bërë katër luftëra agresive dhe ka shkaktuar gjenocid në Kosovë, në Bosnjë e Hercegovinë. Do të duhej të reflektonte dhe në pjesën postkonfliktuale pas luftërave, do të duhej të meditonte fluks pozitiv të sjelljes dhe t’i pranonte. Akti parë dhe kryesor i një shteti serioz do të ishte të pranojë gjenocidin e bërë, eksodin që ka bërë ndaj Kosovës. 1 milion e 280 mijë njerëz, jo 800 mijë, as 700 mijë siç po thonë njerëz gabimisht, dhunshëm janë larguar nga Kosova, me qëllim që të bëhet pastrimi etnik i shqiptarëve dhe të sillen forca të reja demografike, qytetarë të tjerë serbë ekskluzivisht nga vendet e tjera të ish-Jugosllavisë dhe këtë Serbia nuk e ka bërë përkundrazi, Serbia për fat të keq në mënyrën më drastike të mundshme, më të papranueshme, bën mohimin e akteve gjenocidale dhe masakrave të mbi 406 masakrave të bëra nga Serbia në Kosovë. Ata dhe presidenti i tanishëm e mohojnë masakrën e Reçakut dhe masakrat e tjera, kryeministrja e Serbisë e mohon gjenocidin në Srebrenicë, ne nuk kemi asnjë qëndrim ndryshe nga Serbia, në këtë drejtim Serbia nuk ka ndryshuar, as nuk do të ndryshojë. Nuk pritet që Serbia të reflektojë, ata do të duhej fillimisht të kërkojnë falje, do të duhej t’i tregojnë të gjitha vendet ku janë trupat dhe njerëzit tanë të pagjetur, që janë plagë e cila kullon gjak në mbi 20 vjet dhe ata tallen me ne duke kërkuar: “Le të na tregojë Prishtina ku janë ato varreza, le të na tregojë paraprakisht varrezat e serbëve, që kinse i ka bërë UÇK-ja”, sipas tyre. Pra nuk ka një vullnet, një gatishmëri që Serbia të reflektojë dhe të përmirësojë gabimet e saj. Ajo vazhdimisht qëndron në dy karrige dhe ky pozicion është i papranueshëm.

Zëri: Në bazë të asaj që po thuhet publikisht, si e shihni takimin, a po realizohet duke u bazuar në standardet e marrëveshjeve ndërkombëtare apo kemi devijim të këtyre standardeve kur është në pyetje sidomos Serbia në arenën ndërkombëtare?

Baraliu: Bisedat e filluara që nga 2011-a në Bruksel me Beogradin kanë qenë të strukturuara në atë mënyrë që janë zhvilluar jashtë standardeve dhe kritereve diplomatike, jashtë kornizave të Konventës së Vjenës në raportet bilaterale ose multilatelare në mes shteteve në kuptim të zhvillimit të marrëdhënieve të ndryshme. Kosova nuk është trajtuar asnjëherë si palë e barabartë marrëdhëniet dhe kontaktet që janë zhvilluar atje, janë zhvilluar në copa letrash, ne jemi dëshmitarë kur kemi parë copa letrash nga kamerat e ndryshme të mediave ndërkombëtare duke u nënshkruar me nënshkrim presidenti Thaçi qoftë si kryeministër ose si president, ndërkohë nuk ka asnjë konturë të këtyre marrëveshjeve që janë bërë në një pozicion të dy shteteve anëtare të bashkësisë ndërkombëtare. Jemi në një situatë kur Serbia duhet të ulet dhe jo sikur po deklaron edhe tani dhe si ka vepruar edhe në Bruksel qe nëntë vjet, të na trajtojë si pjesë përbërëse të shtetit të tyre, sepse në Kushtetutën e Serbisë Kosova ende në trambule figuron si një krahinë autonome e tyre.

Zëri: A mund të jetë Asociacioni i Komunave “thembra e Akilit” që mund të jetë pengesë në jetësimin e një marrëveshjeje ndërmjet të dyja palëve për njohje reciproke?

Baraliu: Serbia ka strategji të qartë. Serbia fatkeqësisht ka arritur që gjatë këtyre viteve derisa ne kemi ndenjur duarkryq ndaj shtetit, duke toleruar që edhe pas vendimit të asaj që quhet Gjykatë Ndërkombëtare, gjykata më reputative e drejtësisë me kërkesën e Serbisë ka bërë një verdikt, që Kosova është shpallur në ligje dhe standarde ndërkombëtare shtet i pavarur dhe asgjë s’ka pasur aty shkelje, në vend se të shfrytëzonim këtë impuls para botës për të dëshmuar se ne jemi ashtu siç jemi shpallur shtet i pavarur, ne kemi pranuar fusnotën në bisedat me Serbinë, ku Kosova konsiderohet si shtet i UNMIK-ut, kemi bërë gabime të pafalshme. Ndaj njëra nga gabimet e tilla është edhe plani i Ahtisaarit, që është pranuar në Vjenë dhe më vonë, sepse ai ka vënë themelet e një sistemi pengues, të funksionimit të Kushtetutës dhe ligjeve të këtij vendi, sepse është barriera e mundësisë, pengesave të komuniteteve pakicë që të pengojë ndryshimin e Kushtetutës, sepse kërkohet çdo ndryshim i Kushtetutës dhe çdo ndryshim dhe plotësim i ligjeve me interes vital për Kosovën dhe komunitetet pakicë është futur në Kushtetua nga plani i Ahtisaarit që të jepet me çdo kusht, përveç pëlqimit të dy të tretave të shumicës të 120 deputetëve, pra shumica është 80, shumica e deputetëve pakicë, atë këtë nuk e japin kurrë dhe kjo është një bllokadë që e pengon Kosovën të funksionojë. Marrëveshja për Asociacionin në Bruksel e para dhe e dyta, janë në 2013-n dhe tjetra e 2016-s janë në fakt “Thembër Akili” dhe janë thjesht vetëngujim i Kosovës, gabim i rëndë i Kosovës, që ka pranuar që pastaj ta fusë një pushtet, që quhet pushteti i tretë i ndërmjet që është antikushtetues dhe këtë shkelje që e ka bërë garnitura përkatëse e të dy qeverive, një herë e qeverisë “Thaçi” dhe pastaj e qeverisë “Mustafa” është dëshmuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese se në 23 pika është shkelur Kushtetuta me këto marrëveshje, prandaj Asociacioni është “Thembra e Akilit”, është një Republikë serbe në qoftë se pranohet, nuk duhet pranuar, e them tri herë dhe kjo nuk është negacion, por është një konstatim i domosdoshëm që duhet të këndellet kjo klasë politike, sepse i ka sjellë dëme të mëdha këtij vendi me demarkacionin me Maqedoninë, duke humbur mijëra hektarë, me demarkacionin me Malin e Zi, duke humbur mijëra hektarë dhe me decentralizimin, duke humbur funksionalitetin e shtetit, duke krijuar asimetri në mes të komunave dhe pushtetit të komunave me shumicë serbe, ku në fakt ato komuna në dallim prej mënyrës diskriminuese në komunat me shumicë shqiptare dhe të tjera komunitete kanë ngrenca huazishtetërore, tani Asociacioni do të ishte një plagë e madhe e zhvillimit dhe prosperitetit të shtetit të Kosovës, pa të keqën e askujt, sepse minoritetet këtu dhe minoriteti serb nuk kanë nevojë për të drejta shtesë, sepse kanë më së shumti dhe kjo nuk është floskulë e as parullë politike, por është realitet, të drejta më së shumti se në çdo vend tjetër në botë. Nëse është kështu, atëherë pranimi i Asociacionit është i dëmshëm, sepse e defunksionalizon shtetin e Kosovës dhe njëjtë sikurse Asociacioni, po të pranohej përafërsisht i bie edhe pranimi i atij varianti të tmerrshëm të Thaçit me kompani.

 

Interviste me njohësin e çështjeve politike dhe profesorin universitar Mazllum Baraliu Intervistoi: Arlinda Hoti

Posted by Zeri on Friday, September 4, 2020