Bateristi Nesim Maxhuni në Monako përkrah instrumentistëve të njohur turq

Bateristi Nesim Maxhuni në Monako përkrah instrumentistëve të njohur turq

Prishtinë, 14 shkurt – Jazz-bateristi Nesim Maxhuni gjatë këtyre ditëve ka ushtruar disa këngë të reja, përfshirë këtu këngën e vjetër e të njohur turke “Bulbulum Altin Kafeste” të kompozuar nga Muzaffer Sarisozen.

Kjo këngë është në mesin e 20 sosh që ai është duke i perfeksionuar për dy koncerte që do t’i mbajë në Monte Carlo të Monakos. Përkrah do të ketë instrumentistë të njohur të skenës së jazzit në Turqi, por edhe përtej. Do të luajë me jazz-pianistin Buturay Yarkin, me motrën e tij, instrumentisten e njohur Nağme Yarkın, dhe me basistin Apostolos Sideris nga Greqia.

Maxhuni për dy koncertet që do të mbahen të premten e të shtunën i konsideron hap i radhës në karrierën e tij. Është i bindur se do t’i sjellin bashkëpunime të reja për të cilat ka thënë se do të flitet edhe në të ardhmen si kthesë me rëndësi për karrierën e tij. Këtë e bazon në faktin se do të luajë përkrah jazz-pianistit Buturay Yarkin që kombinon jazzin me muzikën folklorike të Anadollit, i njohur për bashkëpunime me artistë të njohur si me kompozitorin indian Sandeep Das, i cili me “Sing Me Home” me “Silk Road Ensemble” më 2017 mori çmimin “Grammy” për “Best world music album”. Do të jetë edhe motra e tij, Nağme Yarkın, e njohur për lojën e saj në instrumentin tradicional turk “kemençe”. Dyshja vendosën që të bashkëpunojnë në vitin 2016 dhe u bashkuan në “Yarkın Duo”. Një vit më vonë publikuan albumin “One”. Muzika e tyre ishte e kompozuar dhe e aranzhuar që të vërë në pah rëndësinë që ka kultura si sfond muzikor. Që atëherë ata kanë luajtur së bashku në disa vende duke shfaqur repertorin e tyre që përfshin tinguj nga tangoja argjentinase, muzika tradicionale turke, me kompozime e improvizime që i bëjnë të kenë një stil të veçantë në skenën e jazzit. Prapa nuk mbetet as instrumentisti Apostolos Sideris, që do t’u bashkohet. Ai fillimisht kishte luajtur në flaut, pastaj në bas dhe ishte bërë pjesë e disa bendeve të rockut në Athinë. Pas moshës 18-vjeçare u fokusua në muzikën jazz dhe u zhvendos në Boston ku vazhdoi studimet.

Për Maxhunin, skena e jazzit në Stamboll është e njohur. Ka një dekadë që ka bashkëpunime dhe atje ka promovuar edhe albumet e tij. Maxhuni ka tri albume deri tani “Homecoming” i vitit 2018 që erdhi pas “Trenit” të më 2010-s dhe “Syndrome”, i lansuar 2013.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)