BE do të marrë sanksione të reja kundër Rusisë pas fjalimit të Putinit për mobilizimin e forcave rezervë

BE do të marrë sanksione të reja kundër Rusisë pas fjalimit të Putinit për mobilizimin e forcave rezervë

Planet e Vladimir Putin për të urdhëruar një mobilizim të pjesshëm të forcave rezervë të ushtrisë për luftën në Ukrainë dhe për të organizuar “referendume të rreme” në territoret e okupuara të Ukrainës, do të jenë nxitësit e një raundi të ri sanksionesh të BE-së, ka deklaruar Ursula von der Leyen.

Liderët perëndimorë druhen se Putini do t’i përdorë këto referendume si një justifikim për të pretenduar se frontet lindore dhe jugore të Ukrainës janë pjesë përbërëse të Rusisë, duke përsëritur të njëjtat hapa të aneksimit të paligjshëm të Krimesë në vitin 2014.

Në të njëjtën kohë, lideri rus synon të sjellë në ushtrinë ruse deri në 300,000 forca rezervë, përmes një dekreti të mobilizimit të pjesshëm, një lëvizje kjo që ekspertët e shohin si reagim ndaj kundërofensivës të nisur së fundi nga Ukraina.

“Presidenti Putin po shfaq dobësinë e tij tani, sepse mund të kuptohet që ai po planifikon të mobilizojë personel më pak të trajnuar, me më pak përvojë, më pak të motivuar. Përveç kësaj, ai dëshiron të organizojë një referendum të rremë në territorin sovran të Ukrainës,” tha presidentja e Komisionit Europian për CNN gjatë vizitës së saj në qytetin e Nju Jorkut, ku mori pjesë në seancën hapëse të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Pra, unë mendoj se kjo sjell nevojën për sanksione të tjera nga ana jonë, përsëri.”

Pas intervistës me CNN, një zëdhënës i Von der Leyen bëri publike një deklaratë, duke shpjeguar se sanksionet e reja do të përqendrohen tek “individët dhe subjektet” që mbështesin pushtimin e Ukrainës dhe te “kontrollet shtesë të eksporteve për teknologjinë civile, teksa Rusia po shkon drejt një ekonomie të plotë lufte.”

Komisioni ende nuk ka dhënë detaje të mëtejshme.

Që nga 24 shkurti, BE-ja ka vendosur gjashtë raunde sanksionesh kundër Rusisë, së bashku me masat plotësuese për të rritur efikasitetin e tyre dhe një listë të gjatë me njerëzit e profilit të lartë dhe me kompanitë që janë bërë pjesë e listës së zezë.

Sanksionet përfshijnë edhe një embargo ndaj importeve të naftës dhe të qymyrit, një ndalim të eksporteve për teknologjinë më të avancuar, kufizime të rënda në transportin rrugor dhe atë detar, nxjerrjen e bankave kryesore ruse nga sistemi i pagesave SWIFT, si dhe pezullimin e transemtimeve nga mediat shtetërore ruse të akuzuara për përhapje të dezinformimit dhe të propagandës pro luftës.

Por, pavarësisht këtyre masave radikale, lufta në Ukrainë vazhdon dhe nuk dihet se kur mund të mbarojë.

“Sanksionet kanë qenë shumë të suksesshme,” tha Von der Leyen.

“Nëse shikoni ekonominë ruse, industria është duke u rrënuar. Ne vëmë re se ata e kanë vërtet të vështirë të furnizojnë forcat e tyre të armatosura, sepse industria ushtarake po përballet me vështirësi të mëdha, për shembull, me gjysmëpërçuesit që ne nuk po i ofrojmë më. Flota ajrore praktikisht nuk mund të fluturojë më. Pra, të gjitha këto shenja tregojnë se sanksionet po japin efektet e tyre.”

Gjithashtu, në qytetin e Nju Jorkut ishte edhe Josep Borrell, shefi i politikës së jashtme të BE-së, i cili thirri të mërkurën një takim të paplanifikuar të ministrave të punëve të jashtme të bllokut për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit.

Borrell denoncoi “referendumet e paligjshme” dhe kërcënimet e nënkuptuara të Putinit për përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë, si dhe përsëriti thirrjen e Von der Leyen për sanksione të reja.

“Është e qartë se Putini po përpiqet të shkatërrojë Ukrainën. Ai po përpiqet të shkatërrojë të gjithë vendin me mjete të ndryshme, duke qenë se po dështon ushtarakisht,” tha Borrell pas takimit.

“Ne mendojmë se është mjaft cinike dhe tronditëse që të dëgjosh kërcënime të tilla gjatë kësaj jave ku këtu, në Kombet e Bashkuara, komuniteti botëror po punon së bashku për të vendosur paqe dhe për të shtruar rrugën drejt përparimit. Dhe, për më tepër, në Ditën Botërore të Paqes. Kjo është dita e zgjedhur nga Putini për të shpallur këtë vendim”.