Begaj telefonon Osmanin, vlerëson maturinë e autoriteteve të Kosovës pas situatës në veri

Begaj telefonon Osmanin, vlerëson maturinë e autoriteteve të Kosovës pas situatës në veri – Lajmet e fundit



Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka telefonuar presidenten e Kosovës Vjosa Osmanin pas ngjarjeve të djeshme në veri të Kosovës.

Begaj ka njoftuar se në bisedën telefonike me Osmanin ka vlerësuar maturinë e autoriteteve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, transmeton Zeri.info.

Presidenti shqiptar ka thënë më tej se Kosova është një realitet i pakthyeshëm politik dhe se sovraniteti i saj mbetet i pacenueshëm.

“Në bisedën telefonike me homologen Vjosa Osmani vlerësova maturinë e autoriteteve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë për shtyrjen e zbatimit të reciprocitetit me Serbinë për çështjet e dakordësuara më herët. Kosova është tashmë një realitet i pakthyeshëm politik, kontribuues për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe sovraniteti i saj mbetet i pacenueshëm”, shkroi Begaj. /Zëri