Berisha: Serbia hezitoi të merrte pjesë në takimin për zbatimin e marrëveshjes ajrore

Berisha: Serbia hezitoi të merrte pjesë në takimin për zbatimin e marrëveshjes ajrore – Lajmet e fundit



Ish-drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Eset Berisha, ka thënë se marrëveshja për linjën ajrore mes Kosovës dhe Serbisë – që është nënshkruar nga vetë ai – i ka sjellë shumë përfitime Kosovës.

“Është marrëveshje, sepse trajtohet nga palët si marrëveshje, sepse është letër synimi të cilën e kanë nënshkruar të dy palët me përmbajtje të njëjtë bashkë më palën e tretë që ishte kompania ajrore Lufthansa. Me atë marrëveshje Kosova ka pasë përfitime të shumta në raport me Serbinë, sepse ka pak gjëra që ndërlidhen me ekonomi dhe të cilat nuk mund të marrin konotacion politik sidomos në aviacion që është fushë e të Drejtës Ndërkombëtare Publike”, ka thënë ai në Klan Kosova.

“Me atë marrëveshje kemi arritur disa gjëra sa i përket njohjes de facto të hapësirës ajrore të Republikës së Kosovës, Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës që puna dhe funksionimi i tij është mohuar vazhdimisht nga autoritetet e Serbisë që nga viti 1999 dhe më tutje. Krejt kjo është bërë me ndihmën e SHBA-së e cila në momentin e embargos ndaj Serbisë ia arriti që të dy palët t’i ulë në tavolinë dhe të negociojnë për një marrëveshje e cila do të zbatohet në praktikë, edhe pse s’e ka pasë statusin e marrëveshjes”.

Ai ka komentuar vërejtjet që SHBA-ja i ka bërë në llogari të Kosovës dhe Serbisë për moszbatimin e kësaj marrëveshje.

“Është dashur të nënshkruhen disa marrëveshje teknike, për shkak që hapësira ajrore e Republikës së Kosovës është nën menaxhimin dhe kontrollin e NATO-s. Përgjegjës për hapësirën ajrore të Kosovës është Komandanti i KFOR-it. Nuk është diçka që është varur vetëm nga pala kosovare për ta zbatuar marrëveshjen, sepse ne kemi pasë pajisjet, kuadrot dhe vullnetin, por ka munguar delegimi i përgjegjësive nga KFOR-i te autoritetet kosovare në mënyrë që marrëveshja të implementohet”.

“Duhet të caktohet juridiksioni territorial, për shkak se hapësira ajrore është territor i shtetit dhe duhet të caktohen kufijtë. Për linjën ajrore Prishtinë-Beograd është dashur të përcaktohen trajektoret e fluturimit në mënyrë që palët të dakordohen se në cilën pikë do të pranohet apo dorëzohet një mjet ajror prej një juridiksioni në tjetrin në mënyrë që aeroplani të ketë shërbime në çdo kohë në territorin e Kosovës apo Serbisë”.

Berisha ka treguar se pas nënshkrimit të marrëveshjes për linjën ajrore Beograd-Prishtinë kanë pasë dy takime me përfaqësuesit e KFOR-it dhe NATO-s ku kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësuesit e shteteve të rajonit, me përjashtim të delegacionit të Serbisë.

“Tema ka qenë implementimi i Marrëveshjes së Berlinit sa i përket linjës ajrore Prishtinë-Beograd dhe përcaktimi i trajektoreve. Nuk na është dhënë arsyetim zyrtar se pse ka munguar delegacioni i Serbisë, por përfaqësuesit e NATO-s dhe KFOR-it na kanë informuar se do t’i takojnë ndaras”.

“Sa i përket zhvillimeve nga KFOR-i dhe Republika e Kosovës, ne kemi pasë iniciativë për ta zbatuar këtë marrëveshje, sepse është zotim i Qeverisë së Kosovës. Pala serbe ka hezituar të marrë pjesë në takimin që është thirrur për zbatimin e asaj marrëveshje”.

Ish-drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës ka thënë se marrëveshja për linjën ajrore duhet të nisë implementimin sa më parë.

“Si hap i parë i zhbllokimit të mosnjohjes nga Serbia, sepse Serbia ka vazhduar ta mohojë ekzistencën e Kosovës, do të duhej të ishte aviacioni, sepse me të themelohet baza e cila e shkëput një herë e përgjithmonë interesin e Serbisë mbi hapësirën ajrore të Kosovës duke e pasë parasysh Rezolutën 1244 dhe Marrëveshjen e Kumanovës në bazë të së cilës Serbisë i është marrë autoriteti mbi hapësirën ajrore të Kosovës nga NATO-ja. Serbia ende pretendon se një ditë do të marrë hapësirën ajrore të Kosovës, ndonëse është çështje faktike se nuk do të ndodhë”.