Bezos “viziton” me sukses hapësirën / Fillon beteja mes “Blue Origin” dhe “Virgin Galactic” për turizmin hapësinor

Bezos “viziton” me sukses hapësirën / Fillon beteja mes “Blue Origin” dhe “Virgin Galactic” për turizmin hapësinor

Jeff Bezos, njeriu më i pasur në tokë, e ka kryer me sukses misionin për të pushtuar hapësirën. Ai fluturoi rreth 107 km mbi shkretëtirën e Teksasit në bordin e anijes së kompanisë së tij, Blue Origin, dhe u rikthye shëndoshë e mirë në tokë. “Ishte dita më e mirë e jetës sime”, deklaroi Bezos pasi kapsula u ul në tokë. Miliarderi amerikan 57-vjeçar ishte me tre anëtarë të tjerë të ekuipazhit dhe qëndroi në hapësirë për 10 minuta e 20 sekonda. Pas uljes së kapsulës hapësinore në tokë, Bezos dhe anëtarët e tjerë të ekuipazhit shkëmbyen përqafime dhe hapën shampanjën e suksesit. Aviatorja 82-vjeçare, Wally Funk, dhe i sapodiplomuari, 18-vjeçari Oliver Daemen, u bënë personat më të vjetër dhe më të rinj që prekën hapësirën. Fluturimi vjen vetëm 9 ditë pasi britaniku, Richard Branson, filloi garën e turizmit hapësinor gjatë fluturimit të tij me kompaninë Virgin Galactic. Kapsula New Shepard është krijuar për të arritur një shpejtësi prej 3,540 km në orë dhe një lartësi prej rreth 100 km, që arrit të ashtuquajturën linjën Kármán, që është vendosur nga organi ndërkombëtar i aeronautikës si kufiri midis atmosferës së tokës dhe hapësirës. Misioni ishte pjesë e një beteje të ashpër konkurruese mes Blue Origin të Jeff Bezos dhe Virgin Galactic të Richard Branson, për të kapur një treg potencialisht fitimprurës të turizmit hapësinor.

Lidion Kulla – SCAN

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.