Biblioteka në terren për rrëfimet e të mbijetuarve të Krushës së Madhe

Biblioteka në terren për rrëfimet e të mbijetuarve të Krushës së Madhe

 

Prishtinë, 4 shkurt – Ministria e Kulturës dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” kanë hedhur hapin parë për ta realizuar punën në terren sa i përket projektit “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”. Ky projekt ishte paralajmëruar në nëntor të vitit të kaluar. Do të mblidhen rrëfimet e të mbijetuarve të vitit 1999 në fshatin që gjendet në Komunën e Rahovecit. Ministria dhe Biblioteka janë vënë në kërkim të 30 vetave, që do t’i realizojnë intervistat dhe transkriptimin e intervistave për projektin. Për këtë kanë hapur thirrje publike. Planifikohet që të dokumentohet një pjesë e historisë së viteve të luftës së fundit në Kosovë.

Në ditën e 24-t të marsit 1999, forcat serbe do ta rrethonin Krushën e Madhe të Rahovecit. E një ditë më pas në emër të “ndjekjes së terroristëve shqiptarë” do të vriteshin, digjeshin e hidheshin në lum mbi 240 civilë shqiptarë nga Krusha e Madhe dhe Krusha e Vogël. Tash, më shumë se 20 vjet më pas, ende nuk dihet gjë për trupat e pagjetur të mbi 40 personave. Rrëfimet për atë që ka ngjarë në këto vendbanime janë të shumta.