Bie numri i pacientëve me COVID-19 në spitalet e Kosovës

Bie numri i pacientëve me COVID-19 në spitalet e Kosovës – Lajmet e fundit


Foto: Laura Hasani


Ka disa ditë që në Kosovë ka rënë numri i rasteve ditore i të infektuarve me COVID-19.

Sipas IKSHPK-së, sot në vendin tonë janë regjistruar 76 raste të reja me koronavirus, ndërsa janë shëruar 165 pacientë.

Ky trend me numër të të shëruarve më të madh se ai i të infektuarve po vazhdon në Kosovë tash e disa ditë, ndërsa kjo vërehet edhe tek pacientët e hospitalizuar që trajtohen për COVID-19 në QKUK dhe spitalet rajonale.

Nga e hëna, numri i pacientëve të hospitalizuar nëpër klinikat e QKUK-së dhe Spitale ka rënë për 49, shkruan Zëri.info.

Në raportin ditor të SHSKUK-së, thuhet se në 4 klinikat e QKUK-së dhe 6 spitalet rajonale janë të shtrirë 270 pacientë nga 319 sa ishin në fillim të javës.

Po ashtu edhe numri i pacientëve që po trajtohen me oksigjenoterapi ka rënë nga 200 sa ishte ditën e hënë, në 182 sot, ku prej tyre 22 janë në gjendje të rëndë.

Në Kosovë që nga marsi deri më sot janë regjistruar 604 raste të vdekjes si pasojë e COVID-19. /Zëri