"Biri"/ Flutura Açka: Ky është një libër jo thjeshtë i nënës në lidhjen instiktive për fëmijën, por edhe i nënës në lidhje intelektuale me fëmijën

“Biri”/ Flutura Açka: Ky është një libër jo thjeshtë i nënës në lidhjen instiktive për fëmijën, por edhe i nënës në lidhje intelektuale me fëmijën

Shkrimtarja Flutura Açka ishte në studion e RTV Ora në emisionin “Tempora” të Sonila Meços. Ajo ka folur në lidhje me librin e saj më të ri “Biri’, i cili i dedikohet djalit të saj që ka ndërruar jetë para disa kohësh në moshën 18 vjeçare.

Sonila Meço: Një ngjarje fatale 18 ditë nga ditëlindja e 18-ë ai djalë që shkruante aq bukur do të shuhej, do të kalonte në një botë tjetër, do të niste një jetë tjetër. Ikja e tij, shkaktoi një dhimbje të jashtëzakonshme, por ajo ikje i ka sjellë publikut shqiptar edhe këtë libër, “Biri” nga shkrimtarja Flutura Açka.

Ne kemi qenë në këtë studio kur ti ende ishe duke e trazuar dhimbjen tënde për të ndërtuar një libër dhe më the Sonila unë nuk do të flas për librin deri sa libri të vijë, faleminderit që e mbajte premtimin.

Sonila: Flutur çfarë është ky libër?

Flutura Açka: Unë mund të flas gjatë, në fakt çfarë kam pasur për të thënë i kam thënë në libër. Tani unë bëj vetëm kozmetikë të asaj që pothuajse e kam thënë.

Ky është një libër jo thjeshtë i nënës, në lidhjen instiktive për fëmijën, por edhe i nënës në lidhje intelektuale me fëmijën që unë e zbulova pasi më iku.