Bitcoin ngjitet sërish mbi 30,000 USD / Rikuperohet tregu i kriptovalutave, pas shitjeve masive të martën

Bitcoin ngjitet sërish mbi 30,000 USD / Rikuperohet tregu i kriptovalutave, pas shitjeve masive të martën

Bitcoin dhe kriptomonedhat e tjera rikuperuan humbjet gjatë sesionit të së mërkurës, pas shitjes masive të martën. Ndërkohë, kriptomonedha më e madhe në botë, bitcoin, është ngjitur sërish në mbi 30 mijë dollarë. Bitcoin fitoi rreth 4% të vlerës të mërkurën, në rreth 30,700 dollarë, ndërsa ethereum dhe ripple fituan 7% dhe 3% respektivisht. Tregu i kriptovalutave u përball me një shitje brutale të martën, me bitcoin që ra poshtë 30 mijë dollarëve për herë të parë që nga 22 qershori. Rënia erdhi pas lajmeve se, Prokurori i Përgjithshëm i New Jersey, lëshoi një letër pushimi për kompaninë që jep hua në kriptomonedha, duke e urdhëruar atë të mos ofrojë llogari me interes. Gjithashtu, tregu i kriptovalutave po përballet edhe me shtrëngimin e rregullave në të gjithë botën dhe për këtë arsye çmimet kanë pasur një tendencë në rënie të vazhdueshme. Në Kinë, autoritetet i kanë kërkuar kompanive të heqin dorë nga “mining”,  një proces që vërteton transaksionet dhe gjeneron monedha të reja. Njëkohësisht, Binance, platforma më e madhe e shkëmbimit të kriptovalutave në botë, po përballet me presion gjithmonë e në rritje nga rregullatorët në Mbretërinë e Bashkuar, në Itali dhe në shumë vende të botës.

Lidion Kulla – SCAN

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.