Borxhi publik i Rumanisë arrin në 49.2% të PBB-së në fund të prillit

Borxhi publik i Rumanisë arrin në 49.2% të PBB-së në fund të prillit

Borxhi publik i Rumanisë u rrit me 8.9 miliardë RON (1.8 miliardë euro) gjatë prillit, duke arritur në 602.9 miliardë RON, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave, edhe pse vendi nuk emetoi asnjë eurobono gjatë muajit.

Raporti i borxhit ndaj PBB-së u rrit në 49.2%, nga 48.4% në fund të marsit. Raporti ishte 48.8% në fund të vitit 2021. Megjithatë, nuk është madhësia e borxhit publik që ka shkaktuar shqetësime, por kostoja e huamarrjes publike — e cila u rrit me 0.9 pikë përqindje, duke arritur në 8.74% në qershor.

Në prill, Departamenti i Thesarit të Shtetit emetoi 260 milionë euro bono në tregun vendas (përveç bonove në monedhën vendase) dhe qeveria filloi përthithjen e parave nga shuma prej pothuajse 4 miliardë euro të shpërndarë nga Komisioni Europian, në kuadër të Programit të Qëndrueshmërisë, por fillimisht të vendosur në llogaritë e Bankës Kombëtare të Rumanisë, duke mos u përfshirë në borxhin publik.

Borxhi afatmesëm dhe afatgjatë i Rumanisë, u rrit në prill me 9,4 miliardë, duke arritur në 583,0 miliardë RON, ndërsa borxhi afatshkurtër u ul me rreth 0,5 miliardë, duke arritur në 19,9 miliardë RON. Pjesa më e madhe e këtij borxhi, 498.6 miliardë RON në fund të prillit, përbëhet nga letra me vlerë të qeverisë. Kredia arriti në 94.5 miliardë RON.

Borxhi publik i Rumanisë është i shprehur në euro (ekuivalent me 288.9 miliardë RON) dhe në monedhën vendase (265.0 miliardë RON), ndërsa pjesa e borxhit të shprehur në dollarë, është më e vogël (ekuivalent me 47.6 miliardë RON).

Interesi mesatar i paguar nga Rumania për paratë e huazuara në qershor, u rrit në 8.74%, me 0.9 pikë përqindje në krahasim me muajin maj dhe niveli më i lartë deri tani në Bashkimin Europian, sipas një sondazhi nga CursDeGuvernare.ro.

Deficiti i madh i buxhetit publik dhe hendeku i madh i llogarisë korente (mbi 7% të PBB-së), janë arsyet kryesore për këtë.

Kostot e huamarrjes afatgjatë të Rumanisë, tregues i besimit që kanë investitorët në drejtimin e ekonomisë, janë dyfishuar vitin e fundit, pasi ishin vetëm 3.24% në korrik 2021, sipas të dhënave nga Eurostat.