Bota e pakufishme muzikore e pianistit autik

Bota e pakufishme muzikore e pianistit autik

Kur gishtërinjtë i takohen me tastet e pianos, i ndryshon gjendja emocionale. Duket sikur hyn në një botë tjetër dhe i ndien veçantitë e tij. Spektri i lehtë i mesëm i autizmit në këtë mes nuk është kufizim i talentit, por, përkundrazi, shteg hapës jo vetëm në muzikë.

Tash një vit e gjysmë që nga takimi i parë me këtë instrument, familjarët e pranojnë se i ka ndryshuar edhe afirmiteti ndaj vetes. Entuziazmin e ka të lartë, secilën vepër e ndien me thellësinë e specifikave të veta. Ndërkaq një nga pjesët ku më së miri tregohet dashuria e tij ndaj muzikës është aftësia e interpretimit të një vepre veç duke e dëgjuar, pa pasur nevojë për partitura.

Elion Paloja, 13-vjeçari me prejardhje nga Gjakova, është dëshmi se përkushtimi është çelës për arritje. Nëpërmjet aktivizimit të tij artistik, ai s’mbetet veç në hallkat e njohjes së vetes, por edhe të përçimit të mesazheve kolektive.

Domosdoshmëria e përfshirjes dhe integrimit të personave të këtij komuniteti në segmente të ndryshme jetësore është njëra nga to. Tjetri mesazh është se sfidat fizike e motorike nuk janë ndalesë për të gjurmuar aftësi të paevidentuara më herët. Këtë e konfirmon edhe profesoresha e pianos në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, Festina Vejsa-Shllaku.

“Veçantitë e Elionit janë se ai luan në instrument me një memorie shumë të mirë. Luan saktë, ka ndjeshmëri emocionale saqë vetë ai i rizhvillon emocionet e tij ndaj instrumentit, duke u dhënë jetë veprave të ndryshme”, ka thënë Vejsa.

Duke qenë se ajo ka pasur shkollim muzikor dhe jo specializim për qasje ndaj personave autikë, fillimet e rrugëtimit të përbashkët pranon se kanë qenë të vështira.

Aftësitë unike

“Në momentin që kam filluar, jam befasuar se si fëmijët me autizëm kanë gjithë këtë aftësi për të luajtur në instrument. Ka qenë jashtëzakonisht e mrekullueshme, saqë ma ka shtuar dëshirën që edhe më tepër të merrem me komunitetin e tillë”, ka thënë ajo plot entuziazëm. “Prej momentit të parë Elioni nuk e ka pasur aftësinë e leximit aspak të zhvilluar, por gradualisht dhe me punë sistematike ia kemi dalë që ai në mënyrë direkte t’i arrijë elementet muzikore”.

Pas përballjes me një person me autizëm, ajo thotë se i ka ndryshuar në tërësi qasja. Njohja e natyrës së tyre, kujdesi dhe rritja e vullnetit për punë janë evidente.

“Fillimisht ka qenë shumë e vështirë, për arsye se kjo është shkollë publike, edhe duke e pasur parasysh se në shkollat fillore shumë pak mbështeten edhe fëmijët nuk janë të adaptuar, qoftë ata me sindrom Down, qoftë ata me autizëm”, ka thënë Vejsa-Shllaku.

Ndërkaq për rrugëtimin me pianon flet edhe vetë nëna e Elionit, Elida Rizvanolli-Paloja.

“Ishte një muzikë e një seriali dhe ky e hapi pianon në dhomën tjetër dhe e luajti atë muzikë vetëm nga dëgjimi, pa i ditur notat. Ne u shokuam që ai po e luante atë muzikë pa e mësuar askush”, ka thënë ajo.

Si të guximshme e vlerëson edhe profesoreshën, e cila ka pranuar t’ia mësojë pianon të birit të saj.

“Në shkollën e muzikës ka ardhur me shumë gëzim. Në shkollë ka qenë më i qetë dhe më i mirë dhe për këtë ka ndikuar pianoja”, shprehet ajo, teksa tregon se tashmë vetëbesimi dhe të kuptuarit i janë rritur.

Ndërkaq për mënyrën e punës tregon edhe profesoresha.

“Elioni gjatë procesit të punës nuk i preferon ndërprerjet. Ndodh që hyn dikush në klasë nga kureshtja se kush po luan në instrument, reagimi i tij është shumë qesharak në kuptimin që: ‘Pse na e ndërpret punën’”, ka thënë ajo.

Nga të gjitha veprat që i luan, “Valsi i lumturisë” është një nga ato që e do më së shumti. Nën aranzhim të Ylber Asllanajt, Elioni e jetëson një prej identifikimeve të muzikës shqipe. Këtë e bën disa herë dhe në secilën prej tyre ka një shkëlqim në mënyrën se si e interpreton.

Elion Paloja bashkë me profesoreshën e tij të pianos, Festina Vejsa-Shllaku në shkollën e muzikës, “Prenkë Jakova”

Ajo që e ka motivuar ka qenë edhe pjesëmarrja nëpër organizime të ndryshme muzikore. Koncerti i Vitit të Ri para një viti e koncerti i përmbylljes së gjysmëvjetorit në “Prenk Jakova”. Një nga momentet e veçanta ishte edhe koncerti i shënimit të 10-vjetorit të shërbimeve të Asociacionit Nacional të Autizmit në Kosovë, në të cilin ishte i pranishëm edhe kryeministri Albin Kurti, e që në rrjete sociale pati veçuar interpretimin e Palojës.

“Padyshim pjesa më mbresëlënëse ishte kur Elioni interpretoi në piano. Ai luajti bukur Wolfgang Amadeus Mozartin, Avni Mulën e Franz Schubertin, teksa nganjëherë na shikonte neve audiencën e tij, duke u kujdesur që tingujt e muzikës të na kënaqin të gjithëve”, pati shkruar Kurti, në prill të këtij viti.

Në anën tjetër ka qenë pikërisht edhe festivali ndërkombëtar i muzikës – DAM, ai që i ka dhënë hapësirë talentit të Palojës në edicionin e fundit, në kuadër të koncertit për nxënësit e shkollës së mesme “Prenk Jakova” në fundqershor.

Pasuria që s’duhet të diferencohet

“Elioni në paraqitjet e tij në performanca ka treguar edhe vetë një lloj shqetësimi, kur e merr punën me përgjegjësi. Kështu që përgjegjësinë e ndajmë bashkë, kënaqësinë e ndajmë bashkë deri te realizimi i performancës së jashtëzakonshme dhe të mirë”, ka thënë profesoresha e tij ,e cila s’i ndahet as në skenë.

Kuptueshmëri dhe pranim të nevojave të fëmijëve të tyre është thirrja që bën profesoresha e pianos, Festina Vejsa-Shllaku për të gjithë prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta.

“Nuk kanë të drejtë t’i izolojnë. E drejta e tyre është të shkollohen si të gjithë të tjerët. E drejtë e tyre është të shoqërohen si të gjithë të tjerët”, ka thënë ajo, duke kërkuar socializim e integrim.

Thirrjen ndaj institucioneve e ka të qartë: pavarësisht që është sfiduese, e cilëson si kënaqësi punën me fëmijët e tillë.

“Institucionet, administrata dhe drejtoria le t’i pranojnë fëmijët e tillë sepse aq më shumë që kemi, aq më të pasur jemi. Vetëm kështu mund të shpaloset se çdo gjë është e mundshme në çdo institucion”, ka thënë Vejsa-Shllaku.

Ky artikull është në dispozicion për t’u ritransmetuar nga mediume të tjera, duke e cituar KOHËN si burim.