Botohet “Liber amicorum për Sabri Hamitin” nga fondacioni “Ibrahim Rugova”

Botohet “Liber amicorum për Sabri Hamitin” nga fondacioni “Ibrahim Rugova”

Fondacioni “Ibrahim Rugova” ka botuar këto ditë librin me titull ‘Liber amicorum për Sabri Hamitin’ për nder të 70 vjetor të lindjes së shkrimtarit Kosovar.

Siç ka njoftuar Muhamet Hamiti në profilin e tij zyrtar, libri është dashur të botohet në muajin maj të këtij viti kur edhe ishte datëlindja e Sabri Hamitit, megjithatë botimi është shtyrë shkaku i situatës pandemike.

Pjesë e këtij libri janë emra të njohur të botës akademike si Ali Aliu, Ibrahim Rugova, Rexhep lsmajli, Floresha Dado, Bashkim Kuçuku, Zejnullah Rrahmani, Munish Hyseni, Sali Bashota, Besim Rexhaj, Muhamet Hamiti, Mark Marku, Kastriot Gjika, Kujtim Rrahmani, Femi Cakolli, Xhavit Beqiri, Vehbi Miftari, Persida Asllani, Dhurata Shehri, Agron Gjekmarkaj, Kujtim M. Shala, Bardh Rugova, Nysret Krasniqi, Agron Y. Gashi, Muhamed Çitaku, Arian Krasniqi, Mimoza Hasani, Albanë Mehmetaj.

 Njoftimi i plotë:

Në tekstin hyrës të librit thuhet:

“Ky libër nuk është menduar si kurorë dafine e lavdisë akademike. Nuk është Festschrift, po një Liber amicorum me shkrime autorësh moshash e formimesh të ndryshme – prej miqve e kolegëve, të moçëm e të rinj, nga Kosova e Shqipëria – në nderim të shkrimtarit e të dijetarit Sabri Hamiti në 70-vjetorin e tij të lindjes.

Shkaku i pandemisë Covid-19 që ka kapluar Kosovën, si gjithë botën, libri po e sheh dritën e botimit në dhjetor të vitit 2020 dhe jo në maj kur Sabri Hamiti mbushi 70 vjet.

Liber amicorum për Sabri Hamitin feston jetën dhe veprën e Profesor Hamitit.

Mosha e autorëve e përcakton rendin e teksteve të tyre në këtë libër, me përjashtim të fjalës së Ibrahim Rugovës, mikut e kolegut të tij të letrave, që rri në ballë të librit, mbasi sublimon veprën e Sabri Hamitit përmbledhtas e gjithanshëm.

Boshti rreth të cilit sillen shkrimet janë poezia, proza dhe dramat e Sabri Hamitit, po aq sa studimet e tij për letërsinë shqipe në tërësinë e saj, për Sabri Hamitin shkrimtar e dijetar të letërsisë.”

33 shkrime të 27 autorëve janë përmbledhur në mbi 400 faqe të librit “Liber amicorum për Sabri Hamitin”.

Shkrimet janë të autorëve: Ali Aliu, Ibrahim Rugova, Rexhep lsmajli, Floresha Dado, Bashkim Kuçuku, Zejnullah Rrahmani, Munish Hyseni, Sali Bashota, Besim Rexhaj, Muhamet Hamiti, Mark Marku, Kastriot Gjika, Kujtim Rrahmani, Femi Cakolli, Xhavit Beqiri, Vehbi Miftari, Persida Asllani, Dhurata Shehri, Agron Gjekmarkaj, Kujtim M. Shala, Bardh Rugova, Nysret Krasniqi, Agron Y. Gashi, Muhamed Çitaku, Arian Krasniqi, Mimoza Hasani, Albanë Mehmetaj.

Sabri Hamiti ka botuar sivjet dy libra mongrafikë për shkrimtarët klasikë shqiptarë, Naim Frashërin dhe Gjergj Fishtën./ KultPlus.com