BQK dhe BKS takojnë zyrtarët e lartë të Këshillit të Byrove në Bruksel

BQK dhe BKS takojnë zyrtarët e lartë të Këshillit të Byrove në Bruksel

Guvernatori i Bankës Qëndrore të Republikës së Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti i shoqëruar nga Sami Mazreku, drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), sot në Bruksel kanë zhvilluar një takim me udhëheqësit e Këshillit të Byrove në Bruksel (Council of Bureaux), e cila është organizatë menaxhuese e sistemit të Kartonit të Gjelbër.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BKQ), Fehmi Mehmeti, bashkë me Sami Mazreku, drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimit, mbajtën një takim me Drejtoren Menaxhuese të COB, Greet Floré, në Bruksel.

COB është organizata menaxhuese e Sistemit të Kartonit të Gjelbër, dhe Sekretariati i COB është i vendosur në Bruksel.

Delegacioni i Kosovës, gjatë takimit me Greet Floré, e informoi atë mbi përgatitjet që Byroja Kosovare e Sigurimit, së bashku me Bankën Qendrore të Kosovës dhe institucione të tjera të interesit, ka ndërmarrë deri më tani në lidhje me kërkesat që lidhen me procesin e anëtarësimit në COB, si dhe për gatishmërinë për të ndërmarrë hapa të tjerë në këtë drejtim.

Guvernatori Mehmeti dhe Drejtori Mazreku nënvizuan angazhimin e tyre dhe të Republikës së Kosovës për të forcuar sistemin financiar duke krijuar kapacitetet e nevojshme për të siguruar gatishmërinë e Byrosë Kosovare të Sigurimit për të plotësuar çdo detyrim që rrjedh nga zbatimi i sistemit të Kartonit të Gjelbër, duke u bazuar në standardet e njohura ndërkombëtarisht që rregullojnë këtë fushë.

Bazuar në raportin e prezantuar nga Mazreku, drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit, Kosova demonstron se janë arritur një sërë objektivash të rëndësishme, duke nënvizuar se BKS ka ulur në mënyrë të ndjeshme numrin e automjeteve të paregjistruara dhe vazhdon të zbatojë Memorandumet e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit.

Guvernatori Mehmeti dhe drejtori Mazreku theksuan angazhimin e Kosovës për të bashkëpunuar për të gjetur një zgjidhje sa i përket lehtësimit të trafikut ndërkufitar mes Kosovës dhe vendeve të tjera dhe i kërkoi COB bashkëpunim në këtë kërkim, Floré deklaroi se mundësitë për bashkëpunim do të vlerësohen në mënyrë rigoroze në zbatim të rregullave në bazë të së cilave funksionon COB.