Britania, e shqetësuar për rritjen e tensioneve Kosovë-Serbi

Britania, e shqetësuar për rritjen e tensioneve Kosovë-Serbi – Lajmet e fundit



I dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, gjatë ditës së djeshme ka zhvilluar biseda telefonike me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Mësohet se temë diskutimi ka qenë rritja e tensioneve dhe e gjuhës së nxehtë mes dy vendeve gjatë ditëve të fundit, për çka Britania ka shfaqur shqetësim.

“I dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, foli dje me kryeministrin e Kosovës dhe presidentin serb, duke nënvizuar shqetësimin e Mbretërisë së Bashkuar për rritjen e tensioneve dhe gjuhën e nxehtë të ditëve të fundit”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Britanike në Kosovë.

Peachi u ka thënë Kurtit e Vuçiqit se dialogu në Bruksel është vendi ku duhet të gjenden zgjidhjet.

“Udhëheqësit tani kanë mundësinë dhe përgjegjësinë në bisedimet e tyre në Bruksel për të vënë qytetarët e tyre në radhë të parë, t’i çojnë përpara të arriturat e deritanishme në dialog dhe për të bërë hapa të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve”, citohet të ketë thënë i dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach.

Ndërkaq, vetë kryeministri Kurti dje njoftoi për telefonatën, duke thënë se është “theksuar nevoja për një marrëveshje të përqendruar në njohjen reciproke dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

Gjatë ditës së sotme, kryeministri Albin Kurti do të zhvillojë një takim me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ndërkaq, nesër Kurti e Vuçiqi do të takohen pas një kohe të gjatë në Bruksel. /Zëri