Britania, rekord me vaksinimin. Gjysma e popullsisë së rritur merr të paktën 1 dozë të injeksionit

Britania, rekord me vaksinimin. Gjysma e popullsisë së rritur merr të paktën 1 dozë të injeksionit

Britania ka arritur një fitore në fushatën e vaksinimit ndaj Covid-19, me mbi gjysmën e popullsisë së rritur që ka marrë të paktën 1 dozë, sipas ministrit të Shëndetësisë, Matt Hanckock, ç’ka e bën ekonominë e parë të madhe në botë që arrin atë nivel.  Shpërndarja e shpejtë e vaksinës në Britani, që është shumë përpara homologëve në Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara, do të mundësojë zbutjen e masave të karantinës dhe rihapjen e ekonomisë.  “Programi i vaksinimit është rrugëtimi ynë jashtë pandemisë”- tha Hancock.  Të dhënat zyrtare tregojnë se 26.9 milionë njerëz kanë marrë një dozë të vaksinës.  “Le ta ruajmë këtë shpejtësi”- tha Kryeministri Boris Johnson në tëitter, pas lajmërimit se gjysma e të rriturve kanë marrë 1 dozë të injeksionit.    Megjithatë, në Europë janë rritur shqetësimet mbi një valë të re të infeksionit, për shkak të rritjes së rasteve në Gjermani dhe Francë.  Këshillues të Qeverisë paralajmëruan në fundjavë se pushimet jashtë vendit do jenë të pamundura për britanikët këtë Verë, për shkak të rrezikut të importimit të varianteve të reja të Covid-19.  Hancock tha se duhet treguar vigjilencë por shtoi se nuk do të përmbysen planet e hapjes graduale të dyqaneve, bareve dhe restoranteve nga 12 Prilli.  Vaksinimi në Britani, duke përdorur Pfizer dhe AstraZeneca, është një ndër më të shpejtët në botë.  Matur nga proporcioni i popullsisë së vaksinuar, Izraeli zë vendin e parë, ndjekur nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Kili dhe pastaj britania.   Për krahasim, 23% e popullsisë amerikane ka marrë të paktën 1 dozë të vaksinës dhe më pak se 1/10 e popullsisë në Bashkimit Europian.

Klevis Llaha / SCAN

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.