Buffett humbi 50 miliardë, por është optimist për të ardhmen e ekonomisë

Buffett humbi 50 miliardë, por është optimist për të ardhmen e ekonomisë

Koronavirusi po varfëron edhe pasanikët e botës.

Investitori miliarder, Warren Buffett, shefi i Berkshire Hathaway, foli për koronavirusin dhe perspektivën ekonomike dhe u përgjigj të shtunën e kaluar pyetjeve të investitorëve në mbledhjen e parë virtuale të aksionerëve të kompanisë.

Takimi vjetor i konglomeratit, i njohur si “Woodstock” për kapitalistët, është zakonisht një Meka për investitorët. Si shumë ngjarje të tjera, pelegrinazhi vjetor duhej të mbahej në internet për herë të parë për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Ja çfarë u diskutua në këtë mbledhje

Buffett në përgjithësi është optimist për të ardhmen ekonomike të ShBA-së. “Asnjëherë mos vini bast kundër Amerikës,” tha ai në fillim të takimit, megjithatë paralajmëroi se çdo gjë mund të ndodhë duke pasur parasysh krizën e koronavirusit.

Miliarderi pranoi se “nuk kemi hasur më parë asgjë që t’i ngjajë këtij problemi” dhe pasojat nga koronavirusi janë “ende të vështira për t’u vlerësuar”.

Aktivitetet ekonomike në ShBA u pakësuan nga janari në mars, që rezultoi me një tkurrje prej 4.8 për qind të PBB-së, rënia më e madhe që nga kriza financiare e vitit 2008. Rreth 30 milionë amerikanë kanë bërë kërkesë për të ardhura nga papunësia gjatë gjashtë javëve të fundit.

‘Ne nuk shohim asgjë tërheqëse’

Bota po pret dhe shikon nëse Buffett ka ndonjë plan për të blerë aksione në disa prej kompanive më të trazuara të Amerikës. Megjithatë, miliarderi tha se ai nuk ka parë asgjë tërheqëse ende.

Gjatë krizës financiare të vitit 2008, ai përdori rënien e çmimeve të mëparshme për të blerë kompani me zbritje ose për të marrë një pronësi të pjesshme të kompanive, të tilla si Banka e Amerikës dhe Goldman Sachs.

“Në vitin 2008 dhe 2009, treni ynë ekonomik doli jashtë shinave dhe kishte disa arsye pse shtrati i rrugës ishte i dobët për sa u përket bankave,” vuri në dukje Buffett. “Këtë herë ne thjesht nxorëm trenin nga shinat dhe e vendosëm në një binar rezervë.”

Buffett gjithashtu bëri që aksionet e Berkshire të rriteshin në një shifër prej 137.3 miliardë dollarë amerikanë nga 128 miliardë dollarë amerikanë në fund të vitit 2019.

Berkshire bëri me dije se bleu vetëm 1,8 miliardë dollarë aksione amerikanë në tremujorin e parë. Ai gjithashtu tha që ribleu 1.7 miliardë dollarë amerikanë të aksioneve të veta, por kjo ishte më pak se shifra e tremujorit paraardhës.

Në mbledhje, Buffett nënvizoi se “bota ka ndryshuar” për shkak të koronavirusit.

Ndërkohë ai bëri me dije se kompania e tij Berkshire Hathaway i ka shitur të gjitha aksionet e saj në katër linjat ajrore më të mëdha amerikane. Ai më pas tha se kishte gabuar në vendimin për të investuar në industrinë e aviacionit. Konglomerati kishte 11% të aksioneve në Delta Air Lines, 10% të American Airlines, 10% të Southwest Airlines dhe 9% të United Airlines, sipas raportit të tij vjetor dhe regjistrimeve të ndërmarrjeve.

Komentet e Buffett erdhën vetëm disa orë pasi Berkshire Hathaway njoftoi një rekord humbje neto të tremujorit të parë prej 50 miliardë dollarësh.

Berkshire i Buffett është goditur fort nga pandemia e koronavirusit, duke regjistruar një humbje neto rekord prej gati 50 miliardë dollarësh amerikanë në tremujorin e parë. Kjo performancë po zhvillohet edhe në disa biznese të mëdha operative. Humbja neto tremujore e kompanisë ishte 49,75 miliardë dollarë amerikanë. Çmimi i aksioneve ra me 19 për qind në vitin 2020.

Buffett gjatë takimit me investitorët u shpreh se: “Ne e morëm këtë vendim në drejtim të biznesit të linjës ajrore. Ne morëm para nga biznesi në thelb edhe me një humbje të konsiderueshme.

“Ne nuk do të financojmë një kompani… ku mendojmë se do të përtypë para në të ardhmen.”

Industria amerikane e udhëtimeve pothuajse është shembur si rezultat i pandemisë koronavirus, me linjat ajrore duke prerë qindra mijëra fluturime dhe duke marrë mijëra aeroplan pa shërbim.

Buffett tha se ai kishte menduar të investonte në linja ajrore shtesë para goditjes së pandemisë.

Kush është Warren Buffett

Warren Buffet është njëri nga biznesmenët më të suksesshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai konsiderohet si investitori më i madh i shekullit XX. Buffet deri para 8 viteve ishte njeriu më i pasur i botës, ndërsa sipas listës së Forbes në vitin 2019, ai renditet i treti me një pasuri prej 82.5 miliardë dollarë.

Keshillat e Miliarderit 

Revista amerikane “Time” e ka cilësuar si njërin prej njerëzve më me ndikim në botë. Ai si një novator dhe njeri i sukesshëm ka dhënë disa këshilla interesante në lidhje me të ardhurat, kursimet, shpenzimet etj.

Rreth të ardhurave: “Mos u var kurrë vetëm nga një burim të ardhurash. Investo në mënyrë që të krijosh të paktën një burim të dytë”.

Rreth shpenzimeve: “Nëse blen gjëra që nuk të nevojiten, së shpejti do të të duhet të shesësh gjërat që të nevojiten”.

Rreth kursimeve: “Mos kurse atë çfarë ngel pas shpenzimeve, por shpenzo atë çfarë ngel pas kursimeve”.

Rreth riskut: “Mos e testo kurrë thellësinë e një lumi me të dyja këmbët”.

Rreth investimeve: “Mos i fut të gjithë vezët në një shportë”.